Mëngjesin e të hënës, 9 mars 2020, pas dy ditësh festime në vend të festës së mësuesit e të nënës të gjithë u zgjuam me lajmin se koronavirusi kishte mbërritur në Shqipëri.

Prej ditësh në media jepeshin lajmet se çfarë po ndodhte në Italinë fqinje, se virusi ishte afër nesh, se masat ishin marrë. E dinim se do të trokiste në Shqipëri por jo kur, deri atë mëngjes të 9 marsit, ku nga autoritetet u bë e ditur se janë identifikuar dy pacientët e parë me koronavirus, babë e bir.

Prej asaj dita vendi mori tjetër rrjedhë, vetëm dy ditë më pas COVID-19 u shpall pandemi nga OBSH, e në Shqipëri nisi izolimi 3-mujor, u shtua ankthi mes njerëzve dhe dëgjonim përditësimet e shtimit të rasteve me koronavirus, një sëmundje e panjohur për njerëzit dhe jo shumë e njohur edhe për mjekët, e dëgjuar më herët nga Kina e largët.

Sot, tetë muaj më pas i konsideruar si “pacienti zero” bashkë me të birin, Viktor Kola kujton atë periudhë dhe impaktin tek ai, familja e tij dhe ekonomia.

Nuk dëshironte të kishte kontakt me median, dhe pas këmbënguljes tonë Viktori pranoi. Gjatë intervistës e kuptuam se arsyeja ishte pikërisht ajo periudhë, ku ai dhe djali dolën me emër e mbiemër, e biznesi i tij mëngjesin e 10 marsit doli në të gjithë mediat me ato pamjet e dezinfektimit që në atë kohë dukej si diçka e pa hasur më parë. Për të kjo është e paranueshme.

Sot me shaka Viktori thotë se nëse nuk do të ishte në spital ato ditë lokalit të tij do i vendoste emrin “Korona“. Ende sot thotë ai ka njerëz që nuk vijnë në lokal dhe etiketojnë se “ky është ai vendi”.

Nuk harron të përmendë shërbimin e përkushtuar të mjekëve dhe infermierëve në spital, po kurrësesi kushtet atje te Infektivi që linin për të dëshiruar.

Viktori thotë se e ka kaluar situatën pa panik edhe pse u etiketua si “pacienti zero” që ai nuk e pranon ende sot duke i qëndruar idesë se virusi ka ardhur më herët. I vetmi moment mërzitje për të ishte kur i ndërroi jetë shoku i dhomës në Spitalin Infektiv, Ndue Morina, viktima e dytë e shënuar në vend.

INTERVISTA

Z. Kola, para se të infektoheshit çfarë dinit për koronavirusin?

-Për herë të parë si gjithë Shqipëria e bota dëgjuam që erdhi nga Kina. E dinim që do të vinte një ditë në Shqipëri por jo se do na kapte ne të parët, pavarësisht se ne nuk ishim të parët.

Momentin që patët simptomat e COVID-19, nuk e dinit se ishte ajo. Çfarë ndodhi më pas?

-Shkuam në spital, te Spitali Amerikan dhe ai spitali nuk e dinte. U vizituam bashkë me djalin atje dhe të them të drejtën nuk e dinim se kishim korona, por aty pyetën kur ka qenë djali në Firence, që djalin e ka kapur pas meje, unë ia kam ngjitur atij jo ai mua. Para se të më kapte mua ka pasur mbi 10 shokë të mi.
Aty na thanë që duhet të bënim tamponin, erdhën në shtëpi, sepse u lidh spitali privat me ISHP dhe erdhi një doktor na i mori dhe në darkë na tha që ishim me koronavirus.

Si u ndjetë në ato momente?

-Nuk u ndjemë mirë. Unë kisha simptoma shumë të lehta, nuk do të kisha shkuar në spital kurrë, por djali diçka më shumë se ishte i ftohur, ngaqë luante futboll dhe pak ankthi.

Lajmin që në Shqipëri u konfirmuan dy pacientët e parë me koronavirus e morët vesh në spital?

-E mora vesh në shtëpi, pa shkuar në spital.

Impakti juaj i parë dhe i familjarëve, fqinjëve, njerëzve të afërt, kur ju papritur u etiketuat “pacienti zero”.

-Normalisht nuk u ndjem mirë se djalit i thoshin pacienti zero ndërkohë që ai nuk ishte. Atë e kam infektuar unë dhe unë e kam marr pas shokëve të mi, e kanë thënë ata që e kemi pasur para Viktorit, po nejse, mua më ngeli. Shumë njerëz e marrin për turp dhe e mbajnë sekret, po kjo pandemi ka pushtuar gjithë botën, pavarësisht se unë nuk e vlerësoj shumë sepse nuk mund të flas më gjuhën e mjekësisë.

Dhe pse po thoni që patët simptoma të lehta, ju qëndruat dy javë në spital. Erdhën pacientë të tjerë pas jush, patët biseda?

-Kam pasur bisedë me një që humbi dhe jetën, Ndue Morina. Të them të drejtën ai ishte një njeri që për herë të parë shkonte në spital dhe ishte pothuajse një moshë me mua. Nuk kishte probleme shëndetësore, në mënyrë kategorike në jetën e tij. Vdiq sepse tamponin ia morën me vonesë, ka ndejtur pesë ditë i izoluar sepse kishte të vëllain. Ai ndejti i izoluar për shkak të tij se nuk e dinte vetë ka apo nuk ka.

Pavarësisht etiketimit si pacienti zero shumë shqiptarë mendojnë se koronavirusi kishte ardhur në Shqipëri më herët. E mendoni ende kështu?

-Që në janar ndoshta e para janarit. Kam gocën time farmaciste që ka shitur ilaçet dhe kam lexuar disa mesazhe të spitalit që thoshin infermierët nuk kemi të drejtë të flasim se korona ka hyrë.

Ju dolët nga spitali, situata mori rrjedhën e saj sot kanë kaluar tetë muaj që jemi në pandemi. Sa ka ndikuar tek ju në anën psikologjike? Patët gjendje ankthi, nevoja e një asistence psikologjike, pasi përveç sëmundjes dhe shërbimit në spital patët dhe stigmatizimin e “pacientit zero”

-Falë Zotit nuk kam pasur probleme të tilla asnjëherë, nuk kam përjetuar gjendje ankthi fare. Jam mërzitur vetëm kur më erdhi si papritur, por pas e kaluam. Për familjen pata merak, se më pas tamponin doli dhe mbesa e vogël pozitiv. Nusja e ka kaluar me paracetamol në shtëpi. Gjithashtu dhe shokë të mi pas meje që e kanë kaluar në shtëpi. Arsyeja që e kanë kaluar në shtëpi është se një njeri që nuk ka probleme shëndetësore, nuk ka ankth, ka njerëzit e shtëpisë afër dhe nuk ka dalë ndonjë ilaç deri më sot që ta kurojë.

A e keni frikën se mund të riinfektoheni nga virusi? Respektoni masat?

-Të më thuash sot të shkoj te spitali infektiv unë mund të shkoj lirshëm fare, mund ta vendos një maskë dhe të mbaj doreza për t’u mbrojtur. Kam takuar njerëz plot të infektuar dhe nuk kam pas probleme.

Si e shihni sot situatën, duke qenë se jeni i pari le të themi që hasët koronavirusin dhe shërbimin shëndetësor për të cilin thuhej edhe më herët që masat ishin marë?

-Unë për vete nuk jam për masa shtrënguese të mëdha, jo lirshëm fare po jo masa shtrënguese më shumë se sa janë bërë deri sot. Sot këtë vendim që ka marrë qeveria nga ora 22.00 deri në orën 06.00. Kjo nuk prish ndonjë gjë, po pjesën tjetër të ditës nuk duhet ta mbylli kurrë. Sepse ajo do të kalojë, sot ose nesë gjithkush duhet ta kalojë.
Mjekësia na ka shërbyer në mënyrën më perfekte të mundshme, por kushtet ishin shumë të këqija. Vetëm kushte nuk kishte, kaloriferë të kohësh së Enver Hoxhës, të mykur , të ndryshkur, lagështirë nëpër mure, një skandal i vërtetë. Më keq kam përjetuar kushtet aty, po falë Zotit mjekët na kanë shërbyer shumë mirë.

Unë e kam pas dhe fatin e mirë dhe fatin e keq që kam qenë i pari. Mua më kanë shërbyer mjekët. Tani diçka dhe nga njohja që kam me mjek por dhe ata vetë ishin shumë kuriozë për këtë. Të them nuk më shërbyen i bie të mos kem qenë njeri. Përkundrazi, më kanë shërbyer shumë mirë. Pasi kur kam ikur unë dhe ne që kemi qenë të parët aty ka ndryshuar gjendja, dhe mjekët janë mërzitur, nuk paguhen.

Kur ktheheni sot tetë muaj pas, në ato orët e para të mëngjesit të 9 marsit, ajo frika e asaj kohe ndaj “armikut të padukshëm” çfarë ju vjen më parë në mendje nga ajo periudhë frike e pasigurie për të gjithë, për ne, për mjekët. Flasim si e shihni sot ku situata është tjetër.

-Dikush që nuk e ka kaluar e sheh me ankth e frikë, por të gjithëve dua t’u them që hiqeni mendjen nga ankthi. Kjo është diçka që unë e kam kaluar lehtë po të mos kisha familjen unë për vete… Megjithatë kam pasur njerëzit e mi që kanë ndejtur në shtëpi me familjen dhe them se e kam kaluar shumë lehtë.

Një ditë pas lajmit të “pacientit zero” të gjithë ne pamë pamjet e dezinfektimit të pronës suaj, në atë periudhë të frikshme për të gjithë, njerëzit me ato veshjet e bardha dhe të mbuluar që dezinfektonin gjithçka. Të jepte përshtypjen se virusi ishte “ai armiku i padukshëm” që që kudo të futeshe nuk do të shpëtoje dot.

-Mediat në Shqipëri, pa ju ofenduar sepse kryeministri i ka futur në një kazan të gjithë dhe nuk i bën të fala Sandrit më, por më nxorën nëpër lajme, me emër me mbiemër. Kjo nuk është e drejtë, pavarësisht se unë nuk kam pas e nuk kam probleme me drejtësinë apo diçka tgjetër, por këtë nuk e do kurrkush sepse fillimi ka qenë i vështirë. Rrethuan objektin, policia në shtëpi, ajo që kanë bërë nuk është fare normale. Duhet të familjarizohemi me këtë pandemi.Mendoj që do i vijë fundi shpejt. Njerëzit duhet të jenë shumë më të qetë tani, jo si në fillim, nuk kanë pse ti fusin strese dhe panik vetes.

Përsa i përket anës ekonomike, patët vështirësi, duke qenë se ju keni biznesin tuaj, jo vetëm në kohën e karantimit tuaj por dhe gjatë periudhës 3-mujore të izolimit.

-Unë kam investuar 30 vjet pothuajse për të krijuar këtë biznes e këtë objekt, me mund e me djersë kishim një kafe që me aq punë sa kam, me atë jetoj. Në atë kohë mori një goditje. Isha në spital se dhe emrin lokalit do ia kisha vënë “Korona”. Njerëzit kishin frikë të vini dhe akoma dhe sot një pjesë e mirë e moshës së tretë e shohin si ajo “këtu ka ndodh”.

Ju kanë pyetur më pas njerëz që i njihni që kishin ankthin e koronës që ju pyesnin si ishte, çfarë kalove?

-Pa fund, pa fund, me dhjetëra me qindra më kanë pyetur. Shokët e mi nuk i kam lënë të shkojnë në spital. Jemi lidhur me mjekët dhe u kanë shërbyer në shtëpi dhe e kanë kaluar. Nuk i lamë sepse në spital ka shumë panik, paniku i vdes njerëzit dhe njerëzit e tu nuk i ke afër.

Një mesazh nga “pacienti zero” dhe pse ju thoni që nuk jeni ju në fakt.

-Jam i sigurtë një mijë për qind që nuk jam unë pacienti zero. I jap një mesazh të gjithë njerëzve që të heqin mendjen nga ankthi e paniku dhe të mos kenë frikë fare sepse atë do ta kalojnë të gjithë dhe stresi është armiku një.

MARRË NGA TIRANANEWS

By I ZH