Dhjetëra nxënës kanë mbetur jashtë procesit mësimor online pavarësisht se kjo e fundit zyrtarisht ka nisur të zbatohet tashmë një javë. Shkaku i mos-përfshirjes është gjendja e rëndë ekonomike e familjeve. Sipas të dhënave që ka siguruar Alsat, mbi 17 mijë familje në vend janë pa asnjë të ardhur ndërsa kanë nga disa fëmijë në shkolla. Në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë ka 116 nxënës që nuk mund ta ndjekin mësimin online dhe për të njëjtit është njoftuar komuna dhe ministria e Arsimit. Nxënësit e tjerë dhe mësimdhënësit tashmë kanë orarin e rregullt të mësimit.

“Dihet se shumë nxënës kanë kompjuter mirëpo një familje mund t’i ketë dy tre nxënës në shkollë dhe kështu që është një farë vështirësie por megjithatë në këto kushte ne duhet ta zhvillojmë mësimin online. Me shërbimin profesional kemi bërë edhe orarin e gjithë mësimdhënësve brenda javës duke filluar nga ora 10 deri në ora 6 pasdite, e kanë orarin e caktuar. Për shembull, matematikë dhe gjuhë shqipe kanë më tepër orë në javë ndërsa në lëndët tjera dy, në lëndët zgjedhore nga një e kështu e radhë”, deklaroi Mustafë Ebibi, drejtor i Sh.f “Bajram Shabani”, Kumanovë.

Mësimi online po zhvillohet edhe me nxënësit e shkollës fillore “25 Maji” në Hasanbeg. Mësuesja Suzana Kurbardoviq pranon se ka vështirësi, posaçërisht kur bëhet fjalë për nxënës të ciklit të ulët. Siç thotë ajo, vështirësi do të ketë edhe në notimin elektronik.

“Realizimi i orëve mësimore nuk mund të bëhet qind për qind përmes mësimit online sepse kemi të bëjmë me nxënës më të vegjël. Ne kemi përgatit një listë prej 100 nxënësve për të cilët shpresojmë se do të marrin donacion nga një laptop që është premtuar nga ana e ministrisë, përkatësisht nga ana e komunës. Procesi i notimit çdo herë paraqet problem te arsimtarët sidomos në këtë rast sepse mund t’ju ndihmojnë prindërit. Kur i marrim përgjigjet e fëmijëve ndoshta diku themi se u ka ndihmuar motra ose vëllai mirëpo sidoqoftë ne sërish e vlerësojmë angazhimin dhe interesimin e fëmijës për tu kyçur në mësimin online”, tha Suzana Kurbardoviç, Sh.f “25 Maji” Hasanbeg.

Nga Ministria e Arsimit njoftuan se tashmë kanë marrë të gjitha të dhënat e shkollave për numrin e nxënësve që akoma nuk janë përfshirë në mësimin online. Të njëjtat do të shqyrtohen dhe më pas do të vendoset nëse të familjet do të ndihmohen përmes vauçerëve ose ndonjë formë tjetër që do të mundësonte ndjekjen e mësimit online.

By I ZH

Leave a Reply