Arbërie Nagavci ka dorëzuar më 5 maj në Gjykatën Kushtetuese komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tyre, këto komente janë përgjigje ndaj komenteve të presidentit Hashim Thaçi i cili kishte bërë thirrje që të mos zbatohen vendimet e qeverisë për situatën e krijuar me pandeminë.

“Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke kërcënuar organet ligj zbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë”.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se vendimet e Qeverisë kishin të bëjnë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga pandemia Covid-19, derisa ka konstatuar se sjellja e presidentit përbën shkelje serioze të Kushtetutës.

“Sjellja e presidentit për të shpallur publikisht vendime të Qeverisë pa efekt juridik dhe thirrjet për moszbatim e mosbindje civile përveç rrezikim të shëndetit publik, ishin shkelje serioze e Kushtetutës nga ana e tij, ndërhyrje brutale, cenim të pavarësisë së pushteteve, si dhe rrezikim i lirive dhe të drejtave të njeriut”.

“Me këtë rast, Presidenti ka bërë shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim. Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve, Presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të Presidentit. Por, këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional”.

Lëvizja Vetëvendosja ka thënë se pret që “Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe të konstatojë antikushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit të datës 23 mars 2020”.

By I ZH