Për prishjen e Teatrit Kombëtar në Shqiperi kanë reaguar shumë figura të njohura shqiptare, te cilët shfaqin mospajtim. Ndër to është edhe gazetari Marin Mema, i cili nëpërmjet një shkrimi në facebookun e tij, shpreh se teatri nuk duhej te prishej, aq më pak në këtë kohë ku ende ka familje që jetojnë në çadra që nga tërmeti. Ai thotë se nuk e kupton pse ndodhi ky ngut i ethshëm për prishjen e teatrit. /BiMedia

Shkrimi i plotë në facebook:

Nuk dua të bëj as ekspertin, as inxhinierin, as të mbroj një palë apo një tjetër, as të bëj gjithollogun e as të mbaj leksione për vlerë e historinë, por nuk e kuptova aspak këtë ngut të ethshëm për prishjen e teatrit. A kemi nevojë për një teatër të ri ? Patjetër. A duhej me çdo kusht të prishej i vjetri ? Sigurisht që jo. Jemi në një situatë të vështirë post tërmetit me mijëra familje ende në çadra, me një ekonomi buzë greminës prej Covid19 e arsyesh të tjera, po atëherë përse duhej një kosto tjetër ? Një teatër i ri kombëtar është i mirëpritur nga artistët, një vlerë e shtuar për kryeqytetin dhe për çdo qytetar. Tirana për fat ka ende hapësira ku mundet të ndërtohet një i tillë modern pa patur nevojë të zhdukë të vjetrin, e po kështu pa “falur” tek privati kulla marramëndëse në territorin e sotëm të tij. Ky është në fakt thelbi. Edhe sikur ta lëmë çdo grahmë histori, çdo nostalgji apo emocion, mjafton të analizohej kjo anë tjetër për të kuptuar se gjërat mund të bëhen ndryshe. Përse duhej një përplasje e re ? Përse duhet që për gjithçka zgjidhje të parë të kemi shkatërrimin ? Përse është kaq e vështirë të mbahen minireferendume dhe qytetarët të vendosin ? Përse gjërat duhet ti bëjë politika dhe jo njerëzit fushës ? Sot asnjë prej aktorëve, idhujve tanë nuk ka shpëtuar nga gjykimi, nga fjalët e tepruara që kanë shkruar i madh e i vogël, e mjaft prej tyre që janë gati të ndajnë edhe artin, kulturën, trashëgiminë, madje edhe Shqipërinë, për interesat e tyre. Kauzën e ngjyrosën, e sot shumë e shohin si një debat politik, kur në fakt nuk duhet të ishte i tillë. E kjo u bë vetëm për faktin për të mos lejuar profesionistët e vërtetë, aktorët tanë, profesorët e nderuar, akademikët, ata të pangjyerit të diskutonim projektet e të vendosnin atë që është më e mirë për ta e jo për politikën e të gjitha anëve që nuk u fry dhe nuk u ngop kurrë. Në fund ju pajtoheni e përqafoheni prapë, ndërsa shqiptarët ndahen e përçahen për faj tuaj gjithmonë e më shumë.

By I ZH