Sonte në stadiumin ‘Tose Proeski’ në Shkup luhet ndeshja gjysmëfinale e Play Off të Ligës së Kombeve, mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Përkundër mungesave të lojtarëve kryesor si Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani, te Kosova janë optimistë, dhe fitorja mbetet synimi i vetëm.

Për trajnerin e Kosovës, Bernard Challandes kjo sfidë me Maqedoninë e Veriut është më shumë se një ndeshje futbolli.

‘Për mendimin tim nuk bëhet fjalë vetëm për një ndeshje kualifikuese, është diçka tjetër sepse jemi në Kosovë, në shtetin e ri të Kosovës dhe skuadra e futbollit është shumë e rëndësishme për këtë vend dhe njerëzit e saj. Kemi parë që shumë lojtarë kanë nënshkruar kontrata favorizuese me klube të mirë, por ata nuk duhet të harrojnë kurrë rrënjët e Kosovës dhe çfarë do të thotë të luash me fanelën e Kosovës’- tha Challandes.

Përkundër mungesave, trajneri i kombëtares së Kosovës i beson këtij formacioni të mundshëm: Muric, Vojvoda, Aliti, Dreshevic, Kololli, Berisha, Shala, Zhegrova, Celina, Zeneli, Nuhiu.

Trajneri i Maqedonisë së Veriut Igor Angelovski tha se lojtarët e tij duhet të kenë kujdes dhe ta respektojnë Kosovën.

“Kjo është një ndeshje historike për futbollin e Maqedonisë së Veriut, sepse ne nuk kemi qenë kurrë deri në këtë fazë. Duhet ta respektojmë Kosovën dhe të kemi kujdes ngase ata treguan kualitetet e tyre gjatë kualifikimeve. Por, kemi besim tek skuadra jonë. Unë shpresoj të arrijmë në finale. Kjo është një mundësi e artë për ne. I sigurojë tifozët tanë se do të japim maksimumin për të fituar”, theksoi Angelovski.

Ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës luhet me fillim nga ora 20:45. Kjo ndeshje fillimisht ka pasur të luhet në muajin mars, por shpërthimi i COVID-19, ka bërë që ndeshja të shtyhet deri më datën 8 tetor. Fituesi i këtij takimi, në gjysmëfinale luan ndaj fituesit të sfidës tjetër, Gjeorgji – Bjellorusi.

By B I