Majlinda Kelmendi është njëra prej xhudisteve më të jashtëzakonshme të dekadës së fundit.

Kështu ka vlerësuar të shtunën faqja zyrtare e Unionit Evropian të Xhudos (EJU).

EJU ka publikuar një shkrim për kampionen tonë olimpike dhe për ditët e saj në këtë situatë të jashtëzakonshme.

“Në kohërat e jashtëzakonshme bëhet thirrje për veprime të jashtëzakonshme nga njerëz të jashtëzakonshëm. Është e pamundur të shmanget fakti që të gjithë po jetojmë në kohë të jashtëzakonshme tani. Ndërkohë për kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, njërën prej xhudisteve më të jashtëzakonshme të dekadës së fundit, mbajtja e gjërave të zakonshme sa më shumë të jetë e mundur, është prioritet”, ka shkruar EJU.

Unioni Evropian po ashtu e ka vlerësuar Majlindën si një prej xhudisteve më të suksesshme të të gjitha kohërave në kategorinë deri 52 kilogramë.

Majlinda ka folur për ditët e saj në kohë pandemie.

“Jam në shtëpi gjatë kësaj periudhe të vështirë. Unë jetoj pranë qendrës tonë stërvitore dhe nuk duhet të largohem për të bërë stërvitje. Jemi njëmbëdhjetë xhudistë që jetojmë afër qendrës. Nuk shkojmë askund pos në qendrën stërvitore dhe prapa në shtëpitë tona. Nuk përzihemi me askënd tjetër. Ne jemi mirë dhe familjet tona janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ne të gjithë shpresojmë se situata aktuale do të përfundoj në të ardhmen e afërt dhe do të kthehemi në rutinën tonë”, ka thënë Kelmendi.

Kampionia olimpike ka treguar se nuk e humb asnjë stërvitje dhe se ushtron shumë me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën. Ka treguar se ekipi i xhudos bënë ecje nëpër male, duke mbajtur vazhdimisht distancën me të tjerët.

Asaj po i mungon tensioni dhe emocionet që sjellin garat dhe po ashtu përballja me xhudistet tjera.

“Kjo kohë jashtë garave më ka ofruar mundësinë të reflektojë për disa gjëra në karrierë dhe të përmirësoj koncentrimin. Natyrisht kam menduar për Rio 2016. Kanë qenë kohëra të vështira pas triumfit në Lojërat Olimpike, me disa lëndime rresht. Por ia kam dalë të kthehem e fortë dhe të gjejë rrugën drejt podiumit. Kam qenë sidomos e kënaqur me kthimin në Abu Dhabi, ku e dorëzova finalen për shkak të lëndimit. Vazhdova me fitore në Tashkent, ku isha shumë e kënaqur me mënyrën si kam triumfuar. Isha e kënaqur edhe me medaljen e bronztë në botëror, që ka konfirmuar se jam në rrugën e duhur”, ka thënë Majlinda.

By B I

Leave a Reply