Një tërmet me magnitudë 4.3 ballë i shkallës riher është regjistruar pasditen e sotme në orën 17:21 minuta me epiqendër në Gjirin e Lalzit, njohur ndryshe si fshati i të pasurve. Lëkundjet e forta sizmike janë ndier në Tiranë, Durrës, Krujë dhe qytete të tjera të Shqipërisë së mesme duke rikthyer edhe njëherë frikën te qytetarët.

Fatmirësisht tërmeti ka zgjatur vetëm pak sekonda, një pjesë e qytetarëve kanë dalë nga banesat, ndërsa pjesa tjetër jo. Report Tv sjell pamjet nga Durrësi ku gjithçka është normale, nuk ka panik dhe grumbullime në sheshet e qytetit.

Sizmologu i njohur Rexhep Koçi në një lidhje telefonike për Report Tv qetësoi qytetarët duke u shprehur se nuk ka vend për panik, pasi janë pasgoditje të tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit të vitit të kaluar që shkaktoi 51 viktima, deri në stabilizimin e pllakave tektonike.

“Lëkundja është regjistruar pranë zonës së Fushë Krujës. Zona vijon që të jetë aktive. Kanë qenë rreth 9 goditje në orët e fundit, janë pasgoditje që vazhdojnë. Po përjetojmë një periudhë të gjatë pas datës 26 nëntor. Nuk ka vend për panik, është një periudhë që shoqëron tërmetin e datës 26 nëntor” tha Koçi.

By I ZH