Është miratuar sot në Kuvendin e Kosovës propozimi i LVV-së për uljen e shpenzimeve të deputetëve të Kosovës.

Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila në RTV Dukagjini ka thënë se kjo parti ka filluar këto diskutime qysh në nëntor për këtë problem dhe sipas saj ky propozim nuk lidhet me publikimin e shpenzimeve të deputetëve.

Ajo thotë se në LVV ka pasur diskutime të larmishme me uljen e shpenzimeve të deputetëve por që sipas saj në pyetje ka qenë edhe përgatitja e Ligjit të pagave.

Kusari-Lila thotë se me bërjen publike të shpenzimeve të deputetëve, LVV ka intensifikuar përpjekjet për të ulur shpenzimet e deputetëve.

“LVV edhe në legjislaturat e mëhershme ka bërë propozime për uljen e shpenzimeve të deputetëve por që nuk janë marrë parasysh”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Kusari-Lila thotë se shpenzimet për deputetët janë paraparë pavarësisht nëse ata udhëtojnë me vetura apo autobusë.

“Kemi shkurtua shpenzimet ditore të deputetëve, shpenzimet e udhëtimit, për të cilat kemi vendosur një tavan të shpenzimeve dhe në këtë rast do të ulen 50% të shpenzimeve që janë paguar deri më tani”, tha ndër të tjera Mimoza-Kusari Lila./Telegrafi/