Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se deputetët e PDK-së kanë fyer, ofenduar dhe sharë në drejtim të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo, në një konferencë për media, ka deklaruar se Faton Peci është ngritur në këmbë vetëm për ta mbrojtur Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Nuk mund t’i them fjalët që Memli Krasniqi i ka drejtuar në drejtim të deputetëve. Nuk ma lejon kultura dhe nuk janë fjalë që duhet të thuhen publikisht. Memli Krasniqi ka treguar që nuk e ka nivelin minimal të mirësjelljes në fjalët që i ka drejtuar në veçanti ndaj grave deputete të Vetëvendosjes dhe ministres Gërvalla. Bërtimat, sharjet, fyerjet dhe ofendimet nga vendi ku ishte janë diçka e padëgjuar për mua në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e PDK-së në dalje intensifikuan fyerjet, sharjet, ofendimet dhe kërcënimet ndaj ministres Gërvalla dhe Faton Peci është ngritur në këmbë për të thënë se nuk mund të silleni në këtë mënyrë me një grua, gjegjësisht ministre. Faton Peci është ngritur në këmbë për t’i dalë në mbrojtje dhe pastaj sharjet kanë eskaluar në shkallën ku ka filluar edhe grumbullimi i deputetëve të tjerë”.

Kusari-Lila ka thënë se krijimi i Gjykatës Speciale është shndërruar në kauzë të rrejshme të Vetëvendosjes, njofton Klan Kosova.

“Me keqardhje sot ishim dëshmitarë të skenave joparlamentare dhe të papranueshme për një demokraci për një vend ku duhet të debatohet dhe diskutohet, ku mund të mos pajtohemi dhe jemi pozitë e opozitë, por jo të fyhemi dhe shahemi deri te ofendimet dhe kërcënimet të cilat sot u dëgjuan nga deputetë të PDK-së”.

“Seanca e sotme ka filluar me tension. Tensioni dhe gjuha parlamentare e filloi shkarjen në deklarimet jashtë rendit të ditës me ofendimet dhe fyerjet që filluan t’i bëhen Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deri tek fjalët fyese nga vendi i deputetëve të PDK-së. Mund t’i nxjerri pamjet e fyerjeve dhe fjalëve që deputetët e PDK-së kanë bërë, në veçanti me eskalimin e gjuhës të deputetit Ardian Kastrati, nga vendi i deputetit Memli Krasniqi dhe vetë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Qasja që sot synohet të ndërrohet e vërteta, ajo që çfarë ka ndodhur në vitin 2015 – kush e promovoi, kush e votoi dhe kush e instaloi Gjykatën Speciale dhe si sot perceptohet dhe deklarohen të njëjtit është për keqardhje”.

“Historia nuk është aq e largët për t’iu kthyer të gjitha deklarimeve të krerëve dhe përfaqësuesve të PDK-së tek ata që ishin në kundërshti me Gjykatën Speciale. Sot të krijohet një kauzë e rreme nga e njëjta parti ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe deputetëve është totalisht e papranueshme dhe duhet në çdo situatë të ardhme të ndërmerren masa, qofshin edhe përmes masave disiplinore dhe gjithashtu këto reflektime të jenë pjesë e Rregullores së re të Kuvendit. Kuvendi edhe më herët ka qenë arenë e dramave të mëhershme ku ka pasë raste ku deputetët e pozitës në koalicionin LDK-PDK kanë ofenduar, fyer dhe akuzuar krerët e PDK-së për vrasje dhe më pas kanë akuzuar bashkëqeverisjen. Tendenca që qeverisë t’i mveshen mëkatet që i kanë bërë dhe instaluar është e papranueshme”.

By I ZH