Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani të hënën kanë bërë homazhe tek memoriali i të pagjeturve në sheshin, “Ibrahim Rugova”, ndërsa theksuan se kriminelët serbë duhet të përgjigjen për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe se amnisti për ta nuk do të ketë asnjëherë.

Shefi i ekzekutivit në detyrë, tha se me ndryshimin e Kodit të procedurës penale, kriminelët e luftës së fundit në Kosovë mund të gjykohen dhe dënohen në mungesë.

Për këtë theksoi se është koha që Prokuroria Speciale të bëj punën e vet.

“Është miratuar ndryshimi i kodit të procedurës penale, që mundëson që kriminelët e luftës së fundit në Kosovë të gjykohen edhe dënohen në mungesë. Është e rëndësishme që të kemi sa më shumë punë dhe aktivitet për zbardhjen e fatit të pagjeturve. Edhe për gjykimin e dënimin e kriminelëve. Për këtë si qeveri në detyrë jemi në gatishmëri maksimale, por është koha që edhe Prokuroria Speciale të thotë fjalën e vet dhe të bëj punën e vet”, u shpreh Kurti.

I pyetur për situatën aktuale politike, kryeministri në detyrë tha se nuk është vendi të flas, për siç e cilësoi ai pingpongun politik.

Ndërsa, kryeparlamentarja, Vjosa Osmani tha se pa kthimin e të pagjeturve nuk mund të ketë paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

By I ZH

Leave a Reply