Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se orientimi i Qeverisë së Kosovës është evropian dhe autoatlantik, prandaj edhe e shohim me skepticizëm ndihmën e ofruar nga shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Kurti u shpreh se duke qenë në këtë situatë edhe gjendja dhe furnizimi me vaksina është delikate.

“Në parim, duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha. Orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik, prandaj e kemi skeptizmin dhe qëndrimin tonë karshi ndihmave të shteteve që nuk na njohin. Në këtë situatë, gjendja është më delikate”, ka thënë Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Deri më tash, në Kosovë kanë ardhur vetëm 24 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca, si pjesë e programit COVAX, ndërkaq Kurti u shpreh se se masat kanë qenë të nevojshme, pasi në dy javët e fundit ka pasur rritje të rastërve të cilat kanë tejkaluar kulmin e dy dhjetorit të vitit të kaluar.

“Pas një vendimi të rëndësishëm, siç jemi në dijeni në këta muajt e fundit kemi pasur afër gjysmë milioni testime për Covid, në dy javët e fundit kemi një trend të rritjes. Ky trendi rritjes i rasteve e ka tejkaluar edhe kulmin e dy dhjetorit të viti të kaluar. Me qëllim të minimizojmë ekspozimin ndaj virusit kemi marr masa, dhe ky vendim u votua në mënyrë unanime”, tha Kurti. /Telegrafi