Revista globale “Foreign Policy” e ka intervistuar Kryeministrin në detyrë Albin Kurti rreth zhvillimeve të fundit në vend.

Në këtë intervistë Kurti ka folur për Qeverinë në detyrë, mocionin e mosbesimit, Presidentin Hashim Thaçi dhe të përzgjedhurin special të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas Kurtit, Thaçi është duke u munduar që ta formojë Qeverinë e re në mënyrë që t’i shmangë zgjedhjet e reja në të cilat fituese do të dilte Lëvizja Vetëvendosje.

“Republika e Kosovës është republikë parlamentare. Presidenti është më shumë figurë ceremoniale. Ne nuk mund të krijojmë e as të drejtojmë vullnet politike. Ajo që ai po e bën tani tashmë është shkelje e Kushtetutës. Ai po mundohet ta formojë një qeveri të re në mënyrë që t’i shmangë zgjedhjet e reja, pikërisht sepse të gjithë e dinë se kush do të fitojë. Partia jonë, Lëvizja Vetëvendosje, i ka mbi 50 për qind të votave në të gjitha sondazhet gjatë këtyre ditëve”.

“Unë po kërkoj zgjedhje të reja menjëherë pas krizës së pandemisë. Pra, bëjmë punë të mirë në luftimin e pandemisë COVID-19 — s’ka ankesa në këtë kuptim. Më 16 mars, presidenti ynë kërkoi që të shpallej gjendje e jashtëzakonshme kur kishte zero vdekje e vetëm 19 të infektuar”.

“Sipas Kushtetutës sonë, neni 131, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti i vendit bëhet komandant suprem i forcave të armatosura, njëfarë lloj mobilizimi i përgjithshëm, e ai mund t’i vendosë forcat e armatosura në rrugët e Kosovës. Ai po ashtu e merr edhe kryesimin e Këshillit të Sigurisë së Republikës, duke nënkuptuar që do të kishte edhe pushtet ekzekutiv. Është e dukshme për të gjithë se ai po mundohej ta përdorë virusin për të marrë pushtet, e jo për ta luftuar pandeminë”.

Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Kurti ka thënë se Grenellit i duhet një marrëveshje të cilën mund të tregojë se krizat ndërkombëtare mund të zgjidhen paqësisht, edhe nëse nënkupton shkëmbim territoresh.

“Ai ka ndihmuar në arritjen e disa marrëveshjeve në mes Kosovës e Serbisë lidhur me hekurudhat e autostradat dhe [në rikthimin] e fluturimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit. E unë mund ta imagjinoj se ai është i interesuar për nënshkrime në fund të marrëveshjes, e jo për tekstin mbi nënshkrime. Ngutja e tij e shtyn atë në të njëjtën anë me Beogradin, sepse nëse do marrëveshje të shpejtë, atëherë ushtron presion mbi palën e dobët. Mendoj se ai mund të mos ketë marrë pjesë nuk marrëveshjen në mes të Thaçit dhe Vuçiqit, por jam i sigurt se ai është në dijeni lidhur me bisedimet sekrete dhe se e di përmbajtjen e tyre. Atij i duhet një marrëveshje”.

“Atij i duhet një marrëveshje, të cilën mund të tregojë se krizat ndërkombëtare mund të zgjidhen paqësisht, edhe nëse nënkupton shkëmbim territoresh. Mendoj që shkëmbimi territorial shkakton më shumë refugjatë e më shumë konflikte dhe jo kufij të rinj ashtu siç mund t’i mendojnë ata. Mund t’i vizatosh në një copë letre, por pastaj në realitetin në terren, nuk mund të bëhen pa konflikt”.

“E kam takuar dy herë. Ai është njeri i kohës e jo i hapësirës. Ai nuk flet për shkëmbim territoresh në Ballkan. Atij i duhet një marrëveshje”.

By I ZH

Leave a Reply