Lord Byron (1788-1824) dhe John Hobhause (1786-1869), më vonë i njohur si Lord Broughton, e vizituan Shqipërinë në vitin 1809. Që të dy i botuan udhëpërshkrimet e tyre dhe së bashku me disa udhëpërshkrues tjerë në Britani të Madhe filloi procesi i ndërtimit të imazhit të shqiptarit dhe Shqipërisë.

Në mes tjerash, Hobhouse i përshkroi edhe gratë shqiptare. Në atë kohë ky përshkrim nuk është vërejtur pothuajse aspak. Sikur ky autor t’i përshkruante edhe gratë tjera të Ballkanit, me siguri do ta aplikonte të njëjtën metodë, dhe gratë tjera nuk do të dukeshin më mirë se ato shqiptare. Byron dhe Hobhouse, në Britani kanë qenë të njohur për përkrahjen e tyre në drejtim të arsimimit të grave dhe kjo ka qenë arsyeja që këta dy nuk e shihnin me sy të mirë pozitën e gruas në Ballkan, kur e krahasonin me atë në Britani të Madhe (edhe pse atëherë edhe në këtë vend gruaja ishte në pozitë tejet më të pafavorshme se që është sot).

Sidoqoftë, ky përshkrimi i gruas shqiptare do të bëhej problematik dy shekuj më vonë kur u botua në librin ‘The Ottoman Empire’ që është një tekst shkollor alternativ, për mësim të historisë së kësaj periudhe. Ky libër është botuar në Selanik nga CDRSEE, me qëllim që të krijohet një tekst më i drejtë dhe më i pranueshëm për nxënësit e vendeve ballkanike, e cila gjë do të ndikonte edhe në krijimin e një të ardhme paqësore. Ide shumë e mirë.

Vlerësimi i Hobhouset nuk do të duhej të ishte problem sikur redaktorët e këtij libri të kishin aplikuar të njëjtën metodë në shpjegimin e gjenedjes me gratë e etniteteve tjera të Ballkanit gjatë kësaj periudhe. Por, nuk është bërë kjo. Përshkrimi i tij është dhënë në faqen 111 të këtij libri ku shihet se pozita e gruas së paarsimuar dhe jointeligjente shqiptare është ajo e skllaves së burrit (shqiptar).

Një faqe më poshtë të këtij libri, përshkruhet esnafi i grave greke të angazhuara në prodhimin e sapunit. Këto gra janë të zonja, punëtore dhe të afta në organizimin sindikal apo politik. Tri faqe më poshtë qëndron përshkrimi i grave nga Lady Montagu, e cila ka qenë gruaja e ambasadorit britanik në Stamboll. Sipas saj, gratë e Stambollit janë fenomenale. Ato janë të bukura, sikur që e kanë edhe veshjen, dhe posedojnë aftësi dhe moral të lartë. Madje, sipas gruas së ambasadorit, gratë otomane janë në pozitë më të mirë se gratë e vendeve evropiane, për shkak se ato edhe mund të shkurorëzohen dhe të mos mbesin pa trashëgimi.

Në tekstin tjetër përshkruhet gruaja serbe. Tërësisht në superlativ, në të gjitha aspektet. Tashti, ne këtu hasim në një problem serioz. Teksti, duke qenë shkollor dhe i dedikuar për të gjitha vendet e Ballkanit, paraqet një të metë serioze. Automatikisht ne këtu kemi të bëjmë me metodën krahasuese e cila na tregon se gratë shqiptare janë në fund të pusit, kurse të tjerat diku larg në një pozitë tejet të lakmueshme. Me fjalë tjera, këtu nuk aplikohet kriteri i njëjtë, e cila gjë është e obligueshme. Edhe më tej, ne nuk kemi se si ta interpretojmë ndryshe këtë mënyrë pos si tendencë e qëllimtë të denigrimit të shoqërisë shqiptare.

Redaktorët e librave në fjalë është dashur që ta vazhdojnë vijën e njëjtë të qasjes. 100 vjet më vonë, Edith Durham i ka përshkruar gratë sllave të Maqedonisë, kur ajo ishte angazhuar në shpërndarjen e ndihmave. Sipas Durhamit, e cila në këtë vend ka qëndruar për një kohë të konsiderueshme, gratë sllave janë të pista për shkak se nuk lahen kurrë, as vet e as rrobat që i kanë pa asnjë shije së bashku me stolitë. Në këtë drejtim Durham konkludon: ‘Në asnjë mënyrë nuk mund të pretendoj se kjo fshatarësi është e dashur dhe admiruese. Aq sa kam parë unë, kjo është fshatarësi e llojit më të ulët, e ngadalshme në mendje, me pamje të varfër fizike dhe inferiore ndaj secilës racë të Ballkanit të cilat i njoh unë.’

Në anën tjetër, Durham i përshkruan gratë shqiptare si tejet të moralshme, të dinjitetshme, punëtore, të vyeshme dhe të pastra. Atëherë, pse redaktorët nuk i kanë shfrytëzuar shënimet e Durhamit? Përgjigja: Për shkak se këtu ka një arsye.

Ka edhe raste tjera kur gratë shqiptare janë përshkruar edhe më keq. Dy gra angleze, të quajtura Adeline Paulina Irby dhe Georgina Muir Mackenzie, në vitin 1867 e kanë botuar librin ‘Travels in the Slavonic Provinces of Turkey-in-Europe’. Aty shqiptarët (myslimanë e katolikë) përshkruhen si është më keq. Qëllimi i kësaj literature ka qenë që të minohet mundësia e pavarësisë së shqiptarëve dhe të hapet rruga që tokat e tyre të okupohen nga sllavët, gjegjësisht serbët, për të cilën gjë këto dy gra janë munduar me mish e me shpirt. Libri i tyre është bërë manifest i politikës liberale britanike e cila, në krye me kryeministrin Gladstone, për bazë kishte avancimin e kërkesave të sllavëve ortodoksë.

Nëse e marrim edhe një shembull nga këto tekste të Selanikut, p.sh. rastin e Skenderbeut, e shohim arsyen e cila mëton në paraqitjen e shqiptarëve dhe historisë së tyre si diçka e rastit apo e parëndësishme. Skënderbeu në këtë tekst paraqitet vetëm sa për ta shpjeguar sistemin e ‘Devshirmes’ dhe vetëm një herë, shkurtazi, përmendet bashkëpunimi i tij me Huniadin.

Në lidhje me periudhën e Kongresit të Berlinit (1878) paraqiten disa kërkesa (memorandume) të shqiptarëve, por askund nuk përmendet, në mënyrë analitike, qëllimi i nacionalizmit shqiptar sikur që përshkruhen kërkesat e popujve tjerë të Ballkanit. Kërkesat e nacionalizmit shqiptar jepen shkel e shko edhe në librin e dytë (Kombet dhe shtetet në Evropën juglindore), kurse aspiratat e shteteve tjera janë të përpunuara dhe të qarta. Ta zëmë, në rastin e Maqedonisë, që ishte problemi kryesor i Ballkanit të periudhës së post-Berlinit, shqiptarët nuk paraqiten aspak si faktor dhe si popull me kërkesa legjitime për këtë territor. Kjo është në kundërshtim me faktin që lufta e nacionalizmit shqiptar e kishte Maqedoninë në qendër të aspiratave.

Edhe një gjë nuk duhet ta harrojmë. Në faqen 124 është marrë një insert nga udhëtimet e Frasierit të vitit 1900. Kur ai po udhëtonte nëpër Shqipëri, i shoqëruar nga disa ushtarë otomanë, në pritë iu dalin një grup i shqiptarëve ‘luftarakë, të cilët nuk u sollën si luftëtarë’. Me këtë rast, ushtarët otomanë, nga frika kishin ikur për t’u fshehur në mal. Por, ‘luftëtarët shqiptarë’ iu kishin afruar Fraserit me buzëqeshje dhe e kishin përshëndetur. Asgjë e pazakonshme. Por, titulli i kësaj pjese është: ‘Insecurity when travelling in Albania’ (Pasiguria kur udhëtohet në Shqipëri). Pjesët tjera të Ballkanit jepen si vende të sigurta për udhëtim dhe merret ky shembull si rrezik, edhe pse autori nuk e sheh këtë ndodhi sikur redaksia e këtij libri.

Në librin e tretë, ‘Luftërat Ballkanike’, mungon paraqitja e krimeve ndaj shqiptarëve. Asnjë libër i kësaj teme nuk duhet të shfletohet nëse aty nuk paraqiten masakrat serbe, malazeze dhe greke ndaj popullsisë shqiptare. Të kryhet libri pa këtë temë nuk është shpjegim i historisë, por është arsyetim i asaj që ka ndodhur në vitet 1912-13; është propagandë që e arsyeton të kaluarën për të përgatitur diçka (opinionin) për të ardhmen.

Tashti këto libra i lexojnë nxënësit në Bullgari, Greqi, Serbi, Mal të Zi etj. Dhe, cila do të jetë pasqyra që ata e krijojnë për shqiptarët dhe historinë e tyre? E rrejshme, natyrisht. Ose, së paku e mangët.

Por, pse bëhet kjo gjë? Tani më nuk mund të pengohet pavarësia e Shqipërisë dhe Kosovës si më parë. Por, mund të pengohet zhvillimi i shqiptarëve të cilët do të shihen, me siguri qëllimisht, si elemente të parëndësishme që janë rastësisht në Ballkan dhe shpesh janë problematik.

Në këta tre libra nuk ka emër të ndonjë autori shqiptar. Nëse ka gabime, dihet që redaksia është përgjegjëse. Por, është vërejtur se librin është duke e mbrojtur Frashër Demaj. Do të ishte më mirë sikur Demaj të angazhohej në përmirësimin e këtyre gabimeve. Libri duhet të hiqet nga distribuimi derisa të përmirësohen gabimet.

Përndryshe, periudha e Perandorisë Osmane, sikur edhe ajo e shumë shteteve tjera, paraqitet kryesisht në mënyrë reale. Me siguri paraqitet shumë më mirë sesa në tekstet nacionale (zyrtare) në të cilat mësojnë nxënësit e vendeve anëtare të Ballkanit dhe kjo gjë është për t’u përshëndetur.

By B I