Komisioni shtetëror zgjedhor sot do të mbajë mbledhje publike ku do të sillet përfundimi me publikimin e rezultateve përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 15 korrik. Pas përfundimit të kësaj mbledhje, është caktuar mbledhje solemne ku do t’u ndahen vendimet deputetëve të zgjedhur.

Mbledhja është caktuar pasi që Gjykata administrative vendosi edhe rreth katër padive të fundit të parashtruara dhe i refuzoi të gjitha 185 paditë e partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me çka i konfirmoi vendimet e KSHZ-së.

Aktvendimet të cilat i solli Gjykata administrative janë përfundimtare, përkatësisht, siç kumtoi Ivana Smugreska nga kjo gjykatë, kundër të cilave nuk ka të drejtë ankese.

Këshillat gjyqësorë, siç sqaroi ajo, gjetën se paditë janë të pabaza, përkatësisht është gjykuar në bazë të Kodit zgjedhor, kështu që në padi nuk mund të propozohen dëshmi të reja, rrethana të reja.

Me dorëzimin e vendimeve për deputetët në përbërjen e re parlamentare, praktikisht finalizohet i tërë procesi zgjedhor.

Sipas Kushtetutës, Parlamenti duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa mbledhjen konstituive të përbërjes së re të Kuvendit duhet ta thërrasë ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, më së voni deri më 4 gusht. Nëse Xhaferi, i cili dje u hospitalizua në Klinikën infektive në Shkup, nuk do të jetë në gjendje ta caktojë mbledhjen konstituive, dispozitat kushtetuese dhe ligjore parashohin që këtë ta bëjë deputeti më i moshuar nga përbërja e re parlamentare.

Xhaferi kohë më parë deklaroi se ai do të testohet para mbajtjes së mbledhjes konstituive dhe se do të propozojë këtë ta bëjnë edhe deputetët e tjerë të zgjedhur.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare  që u mbajtën më 15 korrik, sipas rezultateve të para jozyrtare që i kumtoi KSHZ, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni i VMRO-DPMNE-së 44, BDI 15, AA dhe Alternativa 12, E Majta dy dhe PDSH një mandat.

Pas konstituimit të Parlamentit, presidenti i shtetit është i obliguar në afat prej 10 ditëve, mandatin për përbërjen e qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari, ndërkaq, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit duhet t’i parashtrojë programin dhe propozim përbërjen e Qeverisë.

Këto ishin zgjedhjet e dhjeta parlamentare dhe të pestat të parakohshme që nga pavarësia e vendit, që u mbajtën në kushte specifike të pandemisë me Kovid-19 dhe nën protokolle të posaçme shëndetësore për mbrojtje të administratës zgjedhore, pjesëmarrësve në procesin zgjedhor dhe popullatës nga koronavirusi.

By B I