Korona virusi arriti edhe në Komisionin për parandalimin e korrupsionit. Katër persona nga Sekretariati i këtij institucioni kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Rezultatet i kanë marrë para dy ditëve, konfirmoi për Alsat M në bisedë telefonike, kryetarja e Komisionit Biljana Ivanovska. Ajo tha se fatmirësisht të punësuarit që janë pozitiv me Covid -19 nuk kanë simptoma.

Anëtarët e komisionit nuk kanë pasur kontakte direkte me të infektuarit, pasi i kanë respektuar protokollet e autoriteteve shëndetësore, thotë Ivanovska. Ajo kërkoi që të gjithë institucionit t’i bëhet anketë epidemiologjike për të mësuar saktë me sa njerëz do të mund ta ndjekin procesin zgjedhor.

Në ndërkohë edhe kryetari i Shkupit, Petre Shilegov njoftoi se është pozitiv me Korona virus. Në profilin e tij në Fejsbuki shkroi; “Edhe përkundër të gjitha masave që janë ndërmarrë nga ana ime për sigurinë time dhe të gjithë atyre përreth meje, nuk arrita të mbroj veten nga Covid-19. Pasqyra klinike është e mirë, me rritje të vogël të temperaturës së trupit dhe pa nevojë për t’u shtuar në spital”.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski konfirmoi se nëna e tij është pozitiv me virus korona. Por ai tha se nuk ka pasur kontakt me të, prandaj nuk do shkojë në izolim. “Virusi korona është shumë serioz dhe për shkak të paaftësisë së Qeverisë dhe ministrit të shëndetësisë, ai është gjithnjë e më i pranishëm përreth nesh”, shkroi Mickovski.

By B I