Sapo kishte përfunduar një mbledhje e kabinetit qeveritar, kur u ndje keq dhe u transportua me urgjencë në spital. Por për kryeministrin e Bregut të Fildishtë, Amadou Gon Coulibaly, mjekët nuk mund të bënin asgjë dhe ai ndërroi jetë në moshën 61-vjeçare.

Coulibaly shihej si pasuesi i natyrshëm i presidentit të vendit afrikan, Assane Outtara, që e kishte cilësuar si “një vëlla të vogël”. Në vitin 2012, Coulibaly kishte pasur probleme në zemër, dhe i ishte nënshtruar një operacioni. Kryeministri sapo ishte rikthyer nga Franca për një seri kontrollesh.

Bregu i Fildishtë, vend në Afrikën perëndimore me pothuajse 20 milionë banorë, është një nga fuqitë më të zhvilluara ekonomikisht të asaj pjese të kontinentit, dhe njihet veçanërisht për prodhimin e kakaos, duke qenë prodhuesi më i madh në botë, kafes dhe frutave, por ka burime domethënëse diamantesh dhe nafte.

Pas një luftë civile të gjatë, me ish-presidentin e tij Laurent Gbagbo që ndodhet në qeli i dënuar nga Gjykata e Hagës për krime ndaj njerëzimit, nga viti 2011 Bregu i Fildishtë ka pasur stabilitet politik, por komentuesit vendas thonë se vdekja e papritur e Coulibaly mund të destabilizojë sërish vendin.

By I ZH