Njerëzit në SHBA po interesohen shumë për blerjen e armëve. Por çfarë sjell blerja e armëve në kohën e pandemisë dhe cilat janë shkaqet e interesimit për armë?

Linja telefonike në dyqanin Greta’s Guns nuk ka të ndalur: “Për shkak të numrit të madh të thirrjeve, ne nuk po mund të përgjigjemi më fare.” Në dyqanin e armëve në qytetin e vogël Simi Valley në Kaliforni, aktualisht ka shumë punë. “Ende jemi duke punuar me orar të zakonshëm. Por më së miri është që njerëzit të lajmërohen përmes e-mailit apo facebook-ut.”

Alex Villanueva, sherifi i Los Angelesit ka kërkuar para dy javësh që dyqanet e armëve të mbyllen dhe që të mbeten të hapura vetëm dyqanet e ushqimeve dhe gjërave elementare për jetë. Por sherifi u lajmërua për fjalë sërish me 28 mars dhe tha se “importimi, prodhimi dhe shitja e armëve i takojnë pjesës së furnizimit elementar”, që do të thotë se dyqanet e armëve mund të vazhdojnë punën.

Prej shpërthimit të virusit COVID-19, dyqanet në SHBA kanë filluar të zbrazen dhe shumë gjëra nuk mund të gjesh – letër tualeti, makarona, oriz… Njerëzit kanë frikë nga kohëzgjatja e pandemisë dhe furnizohen shpesh me gjëra, të cilat normalisht nuk i blejnë edhe aq shumë. Por ajo që bie në sy është blerja shumë më e madhe e armëve dhe municionit në këtë kohë krize.

Shitja e armëve

“Kohët e fundit kam pasur shumë klientë që nuk i kam parë kurrë më parë”, thotë Josh Lowry. Ai ka një dyqan për shitjen e armëve në qytetin e vogël Tigard, në jug të qytetit me orientim liberal Portland të Oregonit. Armët që mund të gjesh këtu janë pistoleta, municion, thika dhe armë për gjueti. “Klientët tanë janë të shqetësuar për sigurinë”, pohon Lowry. “Ata kanë frikë se politika do të ketë tani punë të tjera dhe se qytetarët do të detyrohen të mbrohen vetë.” Virusi Corona duket se ka ndryshuar edhe të menduarit e disa njerëzve.

Në Online-Shop të Lowryt janë shitur gati të gjitha armët. Pronari ka bërë një status në facebook ku thotë, se “ne nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi të gjitha kërkesave ndaj duhet të furnizohemi së pari, pastaj do të merremi me përpunimin e kërkesave tuaja.”

Shitësit duhet të bëjnë edhe një lloj kontrolli nëse personave të caktuar mund t’u shesin armë. Ata kanë edhe një databazë me informacione. Por FBI ka regjistruar së fundi një numër rekord të kërkesave për armë. Në shkurt të vitit 2020 ka pasur më shumë se 2,8 milionë persona që kishin armë apo municione, ndërsa në muajt e mëparshëm mesatarisht kjo shifër ishte 2,36 milionë në muaj.

Ndryshimet e ligjeve

Në SHBA ka shpesh zhvillime që e rrisin numrin e armëve të shitura. Zgjedhja e presidentit demokrat Barack Obama për shembull, apo marshet e protestave në mars të vitit 2018.

Radhët e gjata që janë regjistruar ditët e fundit në shumë qytete amerikane kanë të bëjnë edhe me ndalimet e futjeve njëkohësisht të shumë personave në dyqane. Në disa dyqane lejohet futja brenda e vetëm gjashtë personave njëkohësisht.

Mungesa e besimit tek policia

Drew Woods jeton në Louisiana dhe punon në një anije. Familjarët e tij kanë shkuar gjithmonë me dëshirë në peshkim apo gjueti. Ai ka mësuar si fëmijë të përdorë armët. “Me 18 kam pasur armën time të parë dhe prej vitit 2009 kam gjithmonë me vete një pistoletë. Woods e ndjen kështu veten më të sigurt, por ai nuk e tregon armën publikisht, sepse ka frikë nga reagimi i njerëzve. “Disa mund të mendojnë menjëherë se dua t’i plaçkis.” Edhe ai në bisedë me Deutschen Wellen shpreh shqetësimin, se kriza e Coronës mund të shoqërohet me mungesë kapacitetesh policore. Në internet Woods ka lexuar një kumtesë shqetësuese të policisë në Cincinnati, të Ohio-s, ku thuhet se policia nuk do të jetë në gjendje gjithmonë të dalë në vendet, ku është kryer ndonjë vepër penale.

Mbrojtja e familjeve

Dennis Williams jeton në New York dhe ka vendosur para një viti të blejë një armë. Ai ka blerë një pistoletë Walther PPK/ 380, një model i prodhuar në Gjermani për qëllime mbrojtjeje. “Kur mora vesh për pandeminë, kam vendosur të blejë relativisht shumë municion. Kam menduar se njerëzit do të blejnë shumë municion dhe pastaj ndoshta nuk do të ketë, ndaj kam vendosur të furnizohem me kohë.” Ky është një reagim zinxhir që po ndodh për shembull në shumë vende edhe me letra higjenike.

Edhe Paul Broshear ka dashur të jetë i sigurt. Ai ka armë dhe municion të mjaftueshëm, por ka vendosur që një pjesë të tyre t’ua japë familjarëve. “Për çdo rast, le t’i kenë”, thotë ai në bisedë me DW. “Duhet të jenë të përgatitur për vetëmbrojtje.” Ai shpreson se askush prej familjarëve nuk do të ketë nevojë të përdorë këto armë dhe se ata do të qeshin pastaj me “idetë e marrëzisë” të gjyshit. Por më mirë të jenë të përgatitur, mendon ai.\DW

By I ZH

Leave a Reply