Lajme Rajoni

Kosovë, prej nesër zgjerohet koha e lirimit të lëvizjes

Nga nesër (4 maj, 2020) do të zgjerohet koha e lirimit të lëvizjes së qytetarëve, nga 90 minuta në ditë, në tre orë dhe në dy orare (para dhe pas dite).

Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për shtyp katër ditë më parë, njofton Klan Kosova

“Në koordinim me aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë, kemi vendosur që hapjen e ekonomisë dhe heqjen e kufizimeve ta bëjmë në tre faza: Faza e parë do të fillojë nga data 4 maj dhe do të vazhdojë deri më 13 maj. Do të zgjerohet orari i lëvizjeve në 3 orë – në dy orare – para dhe pas dite”.

“Hapen këto pjesë të ekonomisë: Ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, riparimi i artikujve personal, zyrat e konsulencës. Oraret do të publikohen menjëherë pas kësaj konference”.

“Faza e dytë, nga data 18 maj deri më 1 qershor do të lirohen masat, por kjo do të varet nga rekomandimet e IKSHPK-së. Duhet ta kemi parasysh që kalimi nga faza e parë në të dytën ose anasjelltas varet nga të gjithë ne”.

“Nëse nuk kemi rritje të rasteve, atëherë natyrisht se do të ecim përpara. Por, nëse përkeqësohet gjendja, do të kthehemi mbrapa”, pati thënë Vitia në konferencën e së enjtës.