Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbledhë sot Këshillin Drejtues për të biseduar rreth emrit për mandatar për kryeministër të Kosovës.

Këtë lajm e bëri të ditur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, të mërkurën pas takimit konsultativ me presidentin Hashim Thaçi.

“Ne nesër do të kemi kryesinë e LDK-së që do të bisedojmë për mandatarin do të konsultojmë këshillit të përgjithshëm. Do të marrim miratimin e tyre, meqenëse se tani nuk kemi mundësi të thërrasim do të flasim në mënyrë elektronike. Në momentin që e përfundojmë këtë, pastaj edhe një cikël do të vazhdojmë me partneret dhe do shohim për të argumentuar te presidenti se e kemi këtë shumicë”, tha ai.

Krahas kësaj Mustafa para gazetarëve tha se qeveria e ardhshme do të merr obligimet që i takojnë në dialogun me Serbinë.

Presidenti Thaçi i ka kërkuar disa herë partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje që ta caktojë mandatarin për formimin e qeverisë, por Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti ende nuk e kanë nominuar mandatarin.

Nisur nga ky mosveprim i Vetëvendosjes, partia e dytë në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që ta formojë qeverinë pa Vetëvendosjen. Pjesë e qeverisë që do të drejtohej nga LDK-ja, nuk do të jetë as Partia Demokratike e Kosovës. Kështu të paktën ka deklaruar lideri i saj, Kadri Veseli.

By I ZH

Leave a Reply