Ministria e Punëve të Brendshme dhe EUROPOL-i sot kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ndërsa me këtë marrëveshje u tha se do të forcohen kapacitetet e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se deri tani shkëmbimi i informacioneve me EUROPOL-in është bërë përmes deskut suedez në kuadër të EULEX-it, por që ka pasur vonesa në shkëmbimin e informatave dhe kryerjen e operacioneve policore.

“Lufta efikase kundër krimit dhe terrorizmit kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, tha Veliu, duke shtuar se priten të nënshkruhen edhe dy memorandume shtesë për zbatimin e kësaj marrëveshjes.

Sipas tij, me këtë marrëveshje, Policisë së Kosovës do t’i ofrohet një mjet i nevojshëm për të goditur kriminalitetin.

“Kjo do të ndikojë në forcimin e sigurisë jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit dhe Evropës”, tha ai.

Veliu më tej shtoi se Policia e Kosovës përmes kësaj marrëveshje trajtohet në mënyrë të barabartë si policitë e shteteve të rajonit, ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt do të dërgohet edhe zyrtari ndërlidhës në selinë qendrore të EUROPOL-it.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se kjo marrëveshje me EUROPOL-in krijon mundësi më të mëdha për shkëmbimin e informacioneve, hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta.

Ai tha se me këtë marrëveshje bashkëpunimi mundësohet shkëmbimi i njohurive të specializuara, shkëmbimi dhe analiza të situatës së përgjithshme që lidhet me krimin, shkëmbimin e informacioneve mbi procedurat e hetimit penal, informatat mbi metodat e parandalimit të krimit, pjesëmarrje në aktivitetet trajnuese, etj.

By I ZH