Kosova është përmirësuar në shumë fusha të kapacitetit të sigurisë kibernetike dhe ka një kuptim gjithëpërfshirës të mangësive ekzistuese dhe mundësive për ndërtimin e kapaciteteve në vitet e fundit, thotë raporti i ri i vlerësimit të sigurisë kibernetike.

Raporti përdorë metodologjinë e Modelit të Pjekurisë së Kapacitetit (CMM) të Sigurisë Kibernetike për Kombet, të zhvilluar nga Qendra Globale e Sigurisë Kibernetike (GCSCC) të Universitetit të Oksfordit.

Ky është vlerësimi i dytë i tillë nga hulumtuesit e GCSCC në Kosovë dhe u krye me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit. Aktiviteti fillestar u realizua në vitin 2015, duke e bërë kështu Kosovën shtetin e parë në tërë botën që e ka pilotuar CMM-në dhe më pas i është nënshtruar rivlerësimit të CMM-së.

Vlerësimi i ri zbuloi se Kosova ka ndërmarrë hapa kritikë në ndërtimin e kapacitetit të sigurisë kibernetike, në veçanti duhet të ceket se ajo e ka miratuar

Strategjinë e saj të parë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike (SSK).

Raporti i CMM-së i vitit 2019 tregoi që SSK i ka dhënë shtytje një reforme legjislative ambicioze, duke përfshirë riorganizimin e thellë të legjislacionit për krimin kibernetik, hartimin e një ligji gjithëpërfshirës ombrellë për sigurinë kibernetike dhe krijimin e bazës ligjore për identifikimin e infrastrukturës kritike shtetërore.

Hulumtuesit arritën në përfundimin se duhet të ruhet ky vrull për ta mundësuar zbatimin e plotë të këtyre nismave legjislative. Rëndësia e njëjtë duhet t’i kushtohet për të siguruar se strukturat e krijuara siç është KOS-CERT i kanë resurset dhe përkrahjen në dispozicion për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre. Kjo pika e fundit vlen edhe për institucionet tjera si Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që kanë nevojë për përkrahje shtesë për ta zbutur problemin e ruajtjes së talenteve në Kosovë dhe mungesën e profesionistëve të kualifikuar në TIK dhe në sigurinë kibernetike.

“Forcimi i sigurisë kibernetike është një hap thelbësor për të siguruar se të gjitha sistemet dhe infrastruktura TIK punojnë së bashku në mënyrë të sigurt. Ne i kemi marrë seriozisht rekomandimet nga Modeli i parë i Pjekurisë në Siguri Kibernetike dhe kemi bërë përparim domethënës në fushën e politikave”, tha Agim Kukaj, drejtor i Postë-Telekomunikacionit dhe Teknologjisë Informative dhe drejtor i Projektit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE) në Ministrinë e Ekonomisë dhe Mjedisit.

“Rivlerësimi nuk është vetëm një udhëzues për përmirësime të mëtejshme, por është edhe një mënyrë për t’i kuptuar më mirë pikat e forta dhe të dobëta në mënyrë krahasuese”, ka shtuar ai, raporton KP.

Ky vlerësim u krye në kuadër të Programit Global të Kapacitetit për Siguri Kibernetike II, për të cilin financimi erdhi nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Koresë, përmes Instrumentit të Partneritetit Kore-Grupi i Bankës Botërore, që administrohet nga Banka Botërore.

“Rishikimi i CMM-së për 2015 dhe Rivlerësimi i CMM-së për 2029 – i pari i kryer globalisht – kanë përkuar gjerësisht me fillimin dhe mbarimin e ciklit të Strategjisë së parë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike. Si i tillë, rishikimi i dytë i CMM-së dha mundësi të shkëlqyeshme për ta vlerësuar përparimin në drejtim të një baze të fortë dhe t’i përcaktojë prioritetet për një strategji pasuese”.

By I ZH