Bota

Kina reagon pas deklaratave të Papës për persekutimin e myslimanëve ujgurë

Kina reagoi ndaj liderit të Kishës Katolike, Papa Françeskut, i cili në librin e tij të ri përmend vuajtjet e pakicës ujgure në këtë vend, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, deklaroi se komenti i Papa Françeskut për turqit ujgurë “nuk pasqyron të vërtetën” dhe tha se “njerëzit e të gjitha grupeve etnike gëzojnë të drejtën e lirisë së besimit fetar” në vend.

Papa Françesku, në librin e tij “Let Us Dream”, i cili do të dalë në treg më 1 dhjetor, i shfaq ujgurët midis grupeve që vuajnë nga persekutimi për shkak të besimeve të tyre.

Muajin e kaluar, Vatikani rinovoi marrëveshjen e diskutueshme me Pekinin në lidhje me emërimin e peshkopëve katolikë.

Ndryshe, shumë vende, organizata ndërkombëtare dhe raporte akuzojnë Kinën për shkelje të të drejtave të popullatës ujgure në Xinjiang dhe kampet që veprojnë në emrin “qendra të edukimit”.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), vlerësohet se të paktën 1 milion ujgurë mbahen pa vullnetin e tyre në vendet që Pekini i quan si “qendra të formimit profesional” por që opinioni ndërkombëtar i përshkruan si “kampe riedukimi”.