Komisioni Europian u bëri thirrje sot vendeve anëtare të BE-së dhe Europës që të zgjasin ndalimin e përkohshëm të udhëtimeve jothelbësore për në BE deri më 15 qershor.

“Me gjithë lehtësimin fillestar të masave për të luftuar pandeminë e koronavirusit të ri brenda Bllokut, situata mbetet e brishtë si në Europë, ashtu edhe në botë”, njoftoi institucioni.

“Do të duhet të përfundojmë gradualisht kufizimet në lëvizjen e lirë dhe kontrollet në kufijtë e brendshëm, përpara se të heqim kufizimet e hyrjes në kufijtë e jashtëm dhe të garantojmë qasje në BE për shtetasit e vendeve të treta”, shpjegoi eurokomisonerja për Çeshtjet e Brendshme, Ylva Johansson.

Kjo është hera e dytë që ekzekutivi europian u bën thirrje vendeve anëtare të zgjasin ndalimin e udhëtimeve, që nga aplikimi i tij më 17 mars.

Kjo mbyllje e kufijve të jashtëm të BE-së dhe zonës Shengen ka një numër përjashtimesh (shtetasit europianë dhe familjet e tyre, banorët afatgjatë, diplomatët, personelin shëndetësor, studentët, punëtorët ndërkufitarë, etj.).

By I ZH