Opinione

Izolimi i dyfishtë i Shqipërisë, arsyet pse gjëndja doli jashtë kontrollit

VEHAP KOLA

Bashkimi Europian ka vendosur të mos i hapë dyert për Shqipërinë pas 1 korrikut, kur pritej që qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të lejoheshin të udhëtonin drejt Unionit. Ndërsa Maqedonia është në gjysmëkarantinë dhe pret zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme më datë 15 korrik, Kosova ka statistikat më negative të rajonit dhe Serbia që po provon një përhapje shumë më agresive të COVID-19 se Shqipëria, ka marrë dritën jeshile nga Brukseli.

Përse po ndodh kjo me Shqipërinë? Përgjigjet për këtë pyetje i ka të gatshme propaganda e regjimit Rama-Veliaj: Europa ka probleme të brendshme, Europa nuk i do shqiptarët, apo Europa nuk na do sepse jemi popull mysliman. Janë pikërisht këto argumente mitike që agjentët e komunikimit të qeverisë nxjerrin nga mënga sa herë del në pah dështimi i pushtetit në plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Është e vërtetë se Europa ka mosmarrëveshje në lidhje me zgjerimin, por siç u konfirmua edhe me vendimin për mosndarjen – padrejtësisht – të Shqipërisë nga Maqedonia, Unioni ka vendosur që këto mosmarrëveshje të mos e pengojnë asnjërën prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin euro-integrues. Ndërkohë, sa i përket pretendimit se Europa nuk i do shqiptarët – ndërkohë që edhe serbët në Serbi dhe Bosnje mund të mendojnë njësoj – mjafton fakti që Europa i dha Shqipërisë lirinë e lëvizjes në zonën Shengen në vitin 2010, edhe pse shqiptarë ishim edhe atëherë.

Truku religjioz i propagandës manipuluese është po aq i dobët, meqë që nga viti 1995 kur kishim tejkaluar Kroacinë katolike, apo edhe që nga viti 2010 kur kishim kaluar Serbinë ortodokse, shqiptarët kishin këtë strukturë fetare të shoqërisë. Prandaj, është e qartë se problemi qëndron brenda Shqipërisë.

Tingëllon thjeshtëzuese të fajësosh apriori regjimin për të gjitha dështimet, sidomos për procese si ky i integrimit europian. Por, nëse ka një gjë të sigurt në këtë debat, është e vërteta se që nga ardhja në pushtet e Ramës dhe enturazhit të tij rilindas Shqipërisë i janë shtuar kushtet e integrimit në BE. Sot, numri i këtyre kushteve ka kërcyer në 15 dhe sikur të mos mjaftonte shtimi i kushteve vetë Parlamenti Europian u detyrua t’i përmendte këto kushte në rezolutën e fundit për Shqipërinë.

Njësoj si në debatin rreth negociatave, makineria manipuluese e komunikimit qeveritar i rikthen këto teza edhe tani që BE-ja u detyrua të mos i hapë kufijtë për qytetarët e Shqipërisë më 1 korrik. Çuditërisht, statistikat tona në menaxhimin e emergjencës shëndetësore janë më të mira se ato të Serbisë. Serbia ka mbi 14 mijë raste pozitive, 270 të vdekur, 254 raste pozitive në 24 orët e fundit dhe 1,312 raste aktive. Ndërsa Shqipëria ka pasur 2,402 raste pozitive gjithsej, 55 jetë të humbura, 72 raste pozitive në 24 orët e fundit dhe 963 raste aktive.

Thembra e Akilit duket që është te numri i testimeve, pra te vërtetësia e statistikave që ofrojnë të dyja vendet. Serbia ka testuar gjithsej rreth 386 mijë të dyshuar, ndërsa Shqipëria vetëm 26 mijë, ndonëse popullsia e Serbisë është vetëm sa 2.5- fishi i popullsisë së vendit tonë. Testimet e ulëta të kryera nga Shqipëria për 100 mijë banorë popullsi duket se krijojnë një panoramë të pabesueshme për partnerët europianë. Strategjia e testimeve masive, e refuzuar në mënyrë ngulmuese nga pushteti në Tiranë, duket se po i jep frytet në Serbi.

Mosbesimi ndaj statistikave shqiptare buron edhe nga tregues të tjerë. Pushteti ndaloi rreptësisht kryerjen e testimeve në laboratorë privatë dhe raportoi gjatë gjithë periudhës së karantinës numra të ulët të rasteve pozitivë. Siç paraqitet në grafikun e mëposhtëm, numri i testimeve gjatë periudhës mars-prill-maj varion ndërmjet 200 dhe 300 në ditë, ndërsa numri i atyre që rezultojnë pozitivë nuk i kalon asnjëherë 40 raste.

Panorama duket e njëtrajtshme deri më datë 13 qershor. Ndonëse numri i testimeve gjatë qershorit është luhatur ndërmjet 300 dhe 400 në ditë, gjendja pëson një ndryshim të beftë më datë 13 qershor, dy ditë pasi një pisqollë politike si Albert Nikolla, këshilltar i Ramës për çështje sociale dhe propagandist militant i rilindjes, u emërua në postin e zv.ministrit të Shëndetësisë. Edhe pse numri i testimeve nuk ndryshoi ndjeshëm me ardhjen e tij në këtë pozitë, numri i rasteve të testuar pozitivë u dy ose trefishua.

A është rastësor ky përkim? Përgjigjen e plotë mund të na e ofronte vetëm një administrim transparent i emergjencës, por Rama ka krijuar një komitet hermetik të ashtuquajtur teknik, gjysmën e të cilit e zënë përfaqësuesit politikë të qeverisë. Përveç kësaj, as institucionet shëndetësore private, as OBSH nuk kryejnë testime në Shqipëri. Pra, çdo e dhënë rreth emergjencës së COVID19 na vjen nga pushteti.

Në mungesë të instrumenteve të verifikimit të këtyre të dhënave dhe duke njohur natyrën krejtësisht propagandistike të regjimit Rama-Veliaj, është naive të besohen statistikat zyrtare. Nëse ne shqiptarët jemi naivë, zyrtarët e Brukselit nuk janë të tillë. Një qeveri që është në gjendje të rrisë fiktivisht numrin e të testuarve pozitivë, është në gjendje edhe ta pakësojë fiktivisht këtë numër. Ndërsa BE druhet se Shqipëria po nënraporton, ne kemi të drejtë të dyshojmë se pushteti po mbiraporton. Në thelb, argumenti është i njëjtë: manipulimi i statistikave është i qëllimshëm.

Shenjat që vijnë nga turizmi nuk janë të mira dhe siç duket e kanë bindur Ramën se ai nuk fitoi asgjë nga mbyllja e karantinës. Rikthimi i saj është më i mundshëm sot, edhe si e vetmja rrugë për të penguar revoltën e shqiptarëve të varfëruar.

Zgjedhja e Ramës për ta menaxhuar emergjencën shëndetësore me militant dhe me propagandë, nuk është jashtë filozofisë së tij të qeverisjes. Por, si në çdo krizë, keqmenaxhimi dhe përpjekja për të manipuluar qytetarët nuk mund të kalojë gjatë pa u ndjerë. Tani, shqiptarët janë kthyer 10 vjet pas, duke humbur lëvizjen e lirë në zonën Shengen dhe rrezikojnë të kthehen vetëm dy muaj pas për të humbur edhe lirinë e daljes nga dera e shtëpisë.

Ndoshta, një izolim të tillë shqiptarët e kishin harruar, por e gjithë kjo nuk erdhi befasisht. Ne patëm harruar edhe shenjat që shënojnë rrokullisjen drejt këtij gardhimi të dyfishtë, siç është rënia e njëpasnjëshme e institucioneve të pavarura, e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, pavarësisë së medias dhe shoqërisë civile. Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e shqiptarëve iu bashkuan me entuziazëm sulmit të pushtetit mbi gjykatat, median, shoqërinë civile dhe vetë zgjedhjeve të lira.

Rikthimi në karantinë, ashtu sikurse izolimi brenda kufijve të Shqipërisë, është sot një skenar shumë i mundshëm. Provat do të prodhohen nga militantët, ndërsa verifikimi do të bëhet nga institucionet e kapura, përfshirë median dhe shoqërinë civile. Mbyllja edhe një herë e qepenave do të rrënonte çdo mundësi ringritjeje ekonomike e shoqërore. Dhe ne nuk kemi asnjë mekanizëm për ta penguar