Reperi i njohur nga Struga e Maqedonisë së Veriut, Bledi Beqiri i njohur me emrin artistik Bloody, ka filluar karrierën e tij në muzikë shumë herët. Tashmë ka arritur të bëhet i famshëm jo vetëm brenda kufijtve të Maqedonisë së Veriut por edhe Kosovë dhe Shqipëri dhe jo vetëm. Ka lançuar shumë këngë të cilat i ka realizuar të gjitha me videoklipe. Ai gjithashtu ka bërë edhe bashkëpunime me këngëtar të njohur shqiptar, siç janë 2Ton dhe Duli, këngë të cilat kanë pasur shumë suksese. Në një intervistë për BiMedia, Bloody ka treguar për karrierën e tij në muzikë, jetën personale si dhe për projektet e rradhës.

BiMedia: Fillimisht, na trego pak si filloi karriera jote në muzikë?

Bloody: Ka qenë një ëndërr e imja prej kur kam qenë fëmijë dhe tash jam duke jetu ëndërrën, normal me pun të pa ndalshme edhe me vetëbesim, por nuk është se këtu është fundi qëllimit tim ka edhe shumë gjëra tjera për të bërë në të ardhmen.

BiMedia: Çka të frymëzoi që zgjodhe rapin e jo ndonjë zhanër tjetër të muzikës?

Bloody: Sepse nuk besoj se do të përshtatesha në ndonjë zhanër tjetër dhe mendoj që nëpërmjet repit mund të përcjell mesazhe që unë dua dhe mendoj që më tepër e gjej veten tek ky zhanër.

BiMedia: Ke bërë plot këngë dhe videoklipe, cilën do ta kishe veçuar më së shumti?

Bloody: Nuk e di, secila nga këngët ka atë veçantin e vet, po nëse do veçoja si këng, po flas si audio, do e veçoja “Mendimet”, është këngë që ka prek të gjithë.

BiMedia: Këngët tua janë të gjitha mjaft të klikuara, si ndjehesh për këtë?

Bloody: Me thën të drejtën jam vërtetë krenar me krejta ata që kam, se e di që jan reale dhe nuk janë të blera, më mir me pas shembull 1 klikim edhe e din që e ke real sesa 1 milion edhe fake.

BiMedia: Ti i shkruan vetë tekstet e tua, a ke ndonjë këngë që është dedikim i drejtpërdrejtë për dikë?

Bloody: Tekstet normal i shkruaj vetë, por dedikim skam bërë dhe nuk kam ndërmend të bëj akoma, do bëja nëse do kishte diçka ndonjë arsye të fortë, shembull për familje, shoqëri, për gjë tjetër sedi, nuk besoj, duhet të ketë arsye të fortë për me bo dedikim për dikë, por normal, në tekstet e mia ka diçka nga vetja sepse janë më natyrale edhe më të kapshme kur bazohesh në diçka që është reale ose ka ndodhur.

BiMedia: A ka pasur ndonjë tekst, që kur e ke shkruar ke qarë sepse ka qenë histori e jetës tënde?

Bloody: Hmm situata të ndryshme në të kaluarën më kanë bërë më të fortë për këtë të ardhme, normal ka emocione të ndryshme gjatë kohës kur jam duke shkruajt tekstet, por me qajt akoma jo haha.

BiMedia: Sa je i përfshirë nëpër mbrëmje, koncerte?

Bloody: Koncerte kam pas normal, por nuk po them nga ato të shumtit. Jam fokusu në punë, nuk jam fokusu akoma në profit, sepse nëse fokusohesh në punë, mund të kesh edhe profit nëse fokusohesh vetëm në profit, nuk do arrish të bësh asnjë punë.

BiMedia: Duke qenë se Struga është qytet i vogël dhe besoj se shumë prej njerëzve të kan njohur edhe më herët, si e ke përjetuar ti famën në qytetin tënd, a ke pas mbështetje?

Bloody: Unë si me famë si pa famë, kam qenë gjithmon i njëjti, nuk ësht se ka ndryshu diçka tek un, veç se tash jam duke  e ruajtur anën private më tepër. Hmm, sa i përket përkrahjes, po flas nga ana e mediave, portaleve, ka qenë 0, e vetmja gjë që sheh tek portalet tona është Politika asgjë tjetër dhe me të vërtet më vjen mirë që keni marrë iniciativë për ti mbështetur ta quaj “Artistat e Strugës”, nuk po flas vetëm për vete, por ka edhe shumë talentë tek ne që me të vërtet kanë nevojë për mbështetje, gjë që shumë pak e shoh te portalet tona. Në fillimet e mia ka pasur edhe nga ato negativet dhe nga ato pozitivet, por të dyja kanë ndikuar për mirë, ato pozitivet për të më dhënë mbështetje të vazhdoj e ato negativet për të më bërë të pandalshëm.

BiMedia: A ka ndonjë mesazh mbështetës, që të ka lënë përshtypje dhe kur e ke lexuar të ka dhënë shum emocion?

Bloody: Ka shumë mesazhe ose komente që bëjnë në këngët e mia, po më vjen mirë kur shoh mesazhe që njerzit gjejn veten nëpër tekstet që un shkruaj, por nuk e di, nuk më kujtoet ndonjë se ka shumë.

BiMedia: Ti tashmë ke krijuar rrethin e fansave, çka janë fansat për ty, a ndan kohë gjithmonë për fansat?

Bloody: Fansat për mua janë gjithçka, nëse nuk do i kisha ato, nuk do isha këtu ku jam, ato janë dora që më ngrejnë lartë dhe ata janë dora që munden mem shty për posht, kështuqë po mundohem që ti mbaj më afër, mos i zhgënjej asniher dhe bashkë të arrim të gjitha majat e mundshme.

BiMedia: Një pyetje paksa ngacmuese, a të ka ndodhur të flirtosh me ndonjë prej vajzave të estradës shqiptare, nëse po cila është ajo?

Bloody: Haha e kam cek edhe më parë që jam i kujdesshëm tek ana private, po ka ndodhur po nuk dua të përmend emra, por që ka ndodh ka ndodh haha..

BiMedia: Duke qenë se më shumë i këndon dashurisë, fansat e tu interesohen edhe për jetën tënde në këtë pjesë, na thuaj a është dikush momentalisht në jetën tënde?

Bloody: I këndoj dashurisë sepse du të shpërndaj dashuri tek të tjerët, smë pëlqen urrejtja. Nuk jam ende në lidhje me dikë, sepse dashuria kërkon përkushtim dhe un përkushtimin më të madh e kam në muzikë, kështu që sa të lëndoj dikë më mir të rri niherë kshtu e pastaj e shoh e të mendoj për të ardhmen.

BiMedia: Jeta e një reperi është e ngarkuar, por si e kalon ti kohën e lirë, cfarë të pëlqen të bësh tjetër përveç muzikës?

Bloody: Përqindjen e madhe të kohës jam me shoqëri dhe atë kohë të lirë që e kam e shfrytërzoj në maksimum, nuk e di ndoshta luaj futball me shoqërin ose shkoj diku jasht shtetit. Veç muzikës është edhe pjesa e aktrimit që e du shum, nëse nuk do isha reper besoj që do merresha me aktrim në teatër ose film, diçka e tillë.

BiMedia: Po në këtë kohë pandemie, si e kalon kohën në karantinë?

Bloody: 24/7 jam në kompjuter duke u marrë me këngët që nuk kanë dal akoma, duke i korrigjuar, duke i rregulluar më tepër ose duke kriju diçka të re. Por kur e shoh që diçka nuk ma don, atëherë e kaloj kohën me ndonjë lojë online me shokët.

BiMedia: Ke qenë gjith kohës duke bërë projekte, a pritet së shpejti ndonjë projekt i ri, nëse po na zbulo diçka rreth projektit të rradhës?

Bloody: Kam bërë shumë këngë të reja, që priten të dalin, do ketë edhe solo edhe bashkëpunime, po derisa të kalojë kjo situatë do të rri në qetësi, e si të kalojë situata atëherë do ti publikoj të gjitha me rradhë dhe të gjitha do të jenë me klipe.

BiMedia: Një mesazh për të gjithë?

Bloody: Qëndroni pozitiv, shpërndani dashuri sa më shumë që të mundeni dhe ndiqni ëndërrat e juaja, sepse herët a vonë, mbas një tuneli të errët gjithmonë ka një dritë, kështu që vazhdoni ëndërrat por mos harroni për me u zgju nga gjumi e të bëni realitet të gjitha.

BiMedia

By I ZH

Leave a Reply