Ilire Dauti është kandidate për deputete në zonën zgjedhore numër 6, nga koalicioni “Tash është koha” i përbërë nga Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa, për zgjedhjet e parakohshme kuvendare në Maqedoninë e Veriut. Telegrafi Maqedoni, deri në fund të fushatës do të bëjë intervista me përfaqësues të listave të partive politike kryesore në vend për të kuptuar qëllimin dhe idenë se si mund të udhëheqin partitë me pushtetin në të ardhmen.

1. Cilat janë tre gjërat që do t’i ndryshonit si deputete në Kuvendin e Maqedonisë?
Janë më shumë se tre gjëra që duhet ndërruar. Mbase do mund të përmblidheshin të gjitha me barazinë e plotë për shqiptarët në shtet dhe eliminimin e diskriminimit strukturor në institucionet buxhetore në të gjitha nivelet, për të cilin në 100 ditëshin e parë në procedurë parlamentare do të futet Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Më shumë se për çdo gjë, shqiptarët kanë nevojë të jenë të barabartë para ligjit, të barabartë në institucione dhe të barabartë në buxhet. Nëse do duhej të zgjidhja disa nga nënsistemet e shtetit që duhet urgjentisht të transformohen për të qenë efikas janë arsimi, drejtësia, ekonomia dhe shëndetësia.

2. Sa është e përfaqësuar denjësisht gruaja shqiptare tani në Kuvend dhe si do të ndryshoni ju gjendjen aktuale?
Problemin e pozitës së gruas dhe barazinë gjinore e shohim shumë më gjerë se aq. Ata momentalisht mbeten të përfaqësuara në Kuvend dhe në këshillat komunal, kryesisht për shkak të kuotave zgjedhore. Por femra ka nevojë që të jetë fillimisht e barabartë në të drejtën për punë. Sipas të dhënave të Entit Shtetërorë për Statistika në 2015 kishim 15,5% më shumë meshkuj të punësuar sesa femra, ndërsa në vitin 2019 ky dallim është thelluar edhe më shumë duke e çuar në 18% dallimin në shkallën e punësimit në mes gjinive. Nga gjithsej afër 160 000 personave të papunë, mbi 67 000 janë femra ndërsa 26% e tyre apo mbi 17 000 janë me shkollim universitar, që secila nga ato mund të jetë një kandidate e mundshme potenciale edhe për deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Madje jo vetëm mungesa e vendeve të punës është penalizuese, por edhe mungesa e kopshteve sidomos në vendbanimet shqiptare dhe kushtet jo të mira i pamundësojnë një femre zhvillim karriere sepse një nënë nuk mund të jetë e suksesshme në profesion nëse nuk ka vend të sigurt për fëmijët e saj për kohën sa është në punë po qoftë ky edhe Kuvendi.

3. Çka do të përfitojë Komuna juaj nga angazhimi juaj në Kuvend?
Problematikat që i përmenda më lartë sidomos janë probleme që edhe komuna jonë i ka. Ne ende kemi probleme të mesjetës; mungesë të ujit të pijshëm, asfaltimit, dhe ndriçim të vendbanimeve. Prandaj në programin tonë ‘shtet për të gjithë’, janë paraparë ulje të shpenzimeve joproduktive dhe rritje e investimeve kapitale. Deri 500 milion euro janë paraparë në programin tonë për revitalizimin e vendbanimeve që do të përmirësojnë standardin jetësor dhe mirëqenien e qytetarëve. Nga investimet e tilla do të realizohen nga ndërmarrjet vendore, me çka do të stimulohet edhe punësimi.

4. Nëse jeni pjesë e pushtetit të ardhshëm, cilat janë idetë për projekte që do t’i realizoni për komunën që përfaqësoni?
Mendoj që përgjigjen e kësaj pyetje e dhashë më lartë, pra investime që drejtpërdrejt do të përmirësojnë standardin jetësor dhe mirëqenien e qytetarëve. Poashtu ndërtimi dhe rindërtimii objekteve shkollore, ndërtimi i çerdheve dhe ambulancave ku qytetarët të mund të marrin shërbimet e nevojshme mjekësore duhet të shihen si prioritete.

5. Mesazhi për vajzat e reja dhe gratë në krahasim me politikën?
Porositë e shumta që marr pikërisht nga vajzat dhe gratë gjatë këtyre ditëve më bëjnë të mendoj që participimi i tyre sikurse në të gjitha sferat tjera shumë shpejt do jetë më përmbajtësor edhe në politikë. Fundja, çfarë zhvillimi mund të presim nga një shoqëri që nuk i shfrytëzon gjysmat e kapaciteteve të veta?

By I ZH