Në Ditën e Gjuhës dhe Alfabetit maqedonas, kryeministri Oliver Spasovski theksoi se gjuha maqedonase është e veçantë dhe i ka kaluar të gjitha fazat e krijimit. Pak ditë pas deklaratës së shefes së diplomacisë bullgare Ekaterina Zaharieva se maqedonishtja është krijuar mbi një dialekt bullgar, Sposovski thotë se Qeveria kujdeset fuqishëm për mbrojtjen dhe kultivimin e maqedonishtes.

E flasim gjuhën maqedonase me alfabetin tonë, si shkrim zyrtar. Gjuha maqedonase i kaloi të gjitha fazat e krijimit, përhapjes, njohjes, kodifikimit dhe të pranimit. Tani ne na mbetet ta ruajmë dhe kultivojmë. (2:00-2:10) Gjuha jonë maqedonase, e vetëdijshme për rolin e saj, rrënja e qenies sonë, mbrojtësi i identitetit dhe të ardhmes sonë është obligim i shenjtë për të gjithë ne- deklaroi Oliver Spasovski.

Kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski nga ana tjetër akuzon pushtetin se me politikat e saj i ka hapur rrugë mohimit të gjuhës dhe kombit maqedonas.

Ekzistenca jonë shekullore dhe autenticiteti i kombit dhe gjuhës maqedonase është e rrezikuar dhe është zëvendësuar me dëshirën për pushtet dhe para, të atyre që udhëheqin me pushtetin. Ata duan të udhëheqin dhe tregtojnë me ekzistencën tonë. Me njërën dorë tregojnë se si e mbrojnë gjuhën, me tjetrën e shkatërrojnë. Por dua të theksoj se gjuha është materie e gjallë, ka mbijetuar për shekuj dhe do të mbijetojë edhe më tej, pavarësisht kush dëshiron ta rrezikojë- pohoi Hristijan Mickoski, VMRO DPMNE

Ndërkohë eurodeputeti nga partia bullgare në pushtet, Andreja Kovaçev në emisionin 360 gradë tha se Bullgaria nuk mund ta lejojë Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në BE me histori të falsifikuar. Ndërsa kryetari i Komisionit bullgaro-maqedonas të historianëve, Dragi Gjeorgjiev pretendon se është e pamundur që komisioni t’i zgjidh të gjitha kontestet shekullore për disa muaj.

Kam pasur takime edhe me Gruevskin, Mickoskin, me Zaevin dhe absolutisht të gjithë shumë mirë e dinë cili është pozicioni bullgar. Po, duhet të ketë progres. Bullgaria nuk ka se si të pajtohet që në BE të hyjë një shtet i cili doktrinën kombëtare e bazon në histori të falsifikuar. Identiteti maqedonas, gjuha maqedonase nuk do të humb asgjë e as që do t’i ulet vlera Maqedonisë së Veriut nëse ajo e pranon të vërtetën- deklaroi Andrej Kovaçev, Eurodeputet nga Bullgaria.

Bullgaria të gjitha mos-marrëveshjet që i ka me Maqedoninë, para së gjithash kundërthëniet historike do të përpiqet t’i zgjidh në interes të saj. Ky presion tashmë ndjehet dhe më tej do të jetë i fuqishëm. Ndërlidhja e progresit të Maqedonisë në negociatat me BE-në me punën e komisionit historik është kundër-produktive për marrëdhëniet mes vendeve, nuk mund të pritet që këto kundërthënie nga 7 shekuj të zgjidhen për 2-3 muaj punë të komisionit- pohoi Dragi Gjeorgjiev, Komisioni bullgaro-maqedonas i historianëve.

Komisioni i përbashkët për 1 vit e gjysmë ka tejkaluar dallimet rreth figurave të Car Samoilit, Shën Kirilit dhe Metodit, Shën Naumit, Shën Klimentit dhe Grigor Përliçevit, por bisedimet kanë ngecur tek identiteti i Goce Dellçevit. Ndonëse pala maqedonase ka pranuar të sqarojë dilemat rreth figurave të përbashkëta historike, pala bullgare i kërkon të pranojë se bullgarët dhe maqedonasit ishin i njëjti popull me gjuhë dhe histori të njëjtë deri në Luftën e Dytë Botërore, pas çka u ndanë me dhunë nga komunizmi.

By I ZH