Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media ka folur rreth çështjes së presidentit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme, raporton Express

I pyetur se a do të bashkëpunojë me PDK’në për zgjedhjen e presidentit të vendit, nëse Thaçi jep dorëheqje, Hoti tha se në çfarëdo situate, duhet të veprohet me dinjitet.

“Besoj se pas gjithë këtyre viteve kemi krijuar një kulturë dhe maturi institucionale. Me secilat situata që përballemi, do të reagojmë me dinjitet, karshi zhvillimeve që do të ndodhin”, ka thënë Hoti.

Ai është pyetur po ashtu për zgjedhjet e jashtëzakonshme, për të cilat po instiston Lëvizja Vetëvendosje.

“Sa i përket zgjedhjeve, Kosova ka qeveri funksionale e cila e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe si e tillë duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Hoti.

Këto deklarata, Hoti i bëri pas takimit të Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës Emergjente me koronavirus, ndërsa theksoi se situata me pandeminë është prioritet i kësaj qeverie.

“Dedikimi maskimal deri tani i kësaj qeverie ka qenë situata me pandeminë Covid 19. Nuk ka prioritet tjetër përveç pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike”, është shprehur Hoti.

By I ZH