Kryeministri i ri i Kosovës Avdullah Hoti, ka nisur punën e tij në Qeverinë e Kosovës.

Në një ceremoni shtetërore në ndërtesën e qeverisë së Kosovës, Hoti nuk është pritur nga asnjë ish- zyrtar i Qeverisë së Kosovës.

Në orën 9:30 pritet të mbahet mbledhja ceremoniale e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Hoti.

Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është “qeveri e paligjshme” dhe siç është shprehur ai është “ qeveri koti”.

Përmes një video-mesazhi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se të enjten nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së kryeministrit te Hoti.

“Nesër, nuk do ta bëj pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Hoti është zgjedhur kryeministër i ri i Republikës së Kosovës në seancën e 3 qershorit të Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

By I ZH