Dy fëmijë të zhytur mes betonit nga mbetjet e shtëpisë së tyre në Sirinë veriore janë shpëtuar pas më shumë se 36 orësh pasi tërmeti i së hënës bllokoi familjen e tyre teksa flinin.

“Më largoni nga këtu, unë do të bëj gjithçka për ju”, u ka thënë vajza shpëtimtarëve që shihen në video duke u ulur në rrënojat e shtëpisë së fëmijëve në Besnaya-Bseineh, një fshat i vogël në Siri.

Emri i vajzës është Mariam dhe ajo përkëdhel butësisht flokët në kokën e vëllait të saj më të vogël, ndërsa ata shtrihen të shtrënguar së bashku në atë që mund të jenë mbetjet e shtratit të tyre. Ajo është në gjendje të lëvizë krahun e saj aq sa të mbulojë fytyrën e vëllait të saj, duke siguruar njëfarë mbrojtjeje nga pluhuri mes mbeturinave.

Emri i fëmijës më të vogël është Ilaaf, sipas babait të tyre – një emër islamik që do të thotë mbrojtje.

Mustafa Zuhir Al-Sayed thotë se gruaja dhe tre fëmijët e tij ishin duke fjetur në orët e para të së hënës kur toka u lëkund me një tërmet 7.8 ballësh.

“Ne ndjemë tokën duke u dridhur … dhe rrënojat filluan të binin mbi kokën tonë dhe ne qëndruam dy ditë nën rrënoja,” tha ai. “Kemi kaluar, një ndjenjë që shpresoj se askush nuk duhet ta ndjejë”.

I ngujuar nën rrënoja, Al-Sayed tha se familja e tij recitoi Kuranin dhe u lut me zë të lartë që dikush t’i gjente.

“Njerëzit na dëgjuan dhe ne u shpëtuam – unë, gruaja ime dhe fëmijët. Faleminderit Zotit, të gjithë jemi gjallë dhe falënderojmë ata që na shpëtuan”, tha ai.

Video tregon vendasit duke brohoritur ndërsa Mariam dhe Ilaaf janë marrë nga rrënojat të mbështjellë me batanije. Fëmijët u dërguan në spital, ku po marrin kujdesin mjekësor.

By B I