Hajnat mashtrojnë plakën angleze: Hape derën, po japim ushqim në pandemi

Një grua në të tetëdhjetat në Britani ra viktimë e një plaçkitjeje të dhunshme nga një grup burrash, të cilët e mashtruan duke i thënë se kanë ardhur për t’i dhënë ushqim në pandemi.

Pesë burra arritën të futen në shtëpinë e zonjës së moshuar në Londër pasi e mashtruan atë dhe e bindën që t’ua hapte derën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Hajnat ia futën një çorap në gojë plakës dhe njëri prej tyre iu ul në gjoks, përderisa të tjerët ia morën stolitë nga kyçi i dorës.

Policia Metropolitane e kryqytetit anglez është duke i kërkuar personat e dyshuar, të cilët janë përshkruar si njerëz të bardhë në të njëzetat. Ata kanë qenë të veshur me rroba me ngjyrë të errët.

Policia u njoftua për rastin rreth orës 19 të mbrëmjes të enjten, ndërsa plaçkitja besohet se ka zgjatur nga 20 deri në 30 minuta.