Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në konferencën për medie me temë: “Disa nga veprimet më urgjente për Qeverinë Kurti II”, tha se është e nevojshme që deri në fund të këtij viti të vaksinohet së paku gjysma e popullsisë me vaksinën kundër virusit COVID-19, por ka dhënë edhe rekomandime të tjera për sfera të ndryshme, përfshirë këtu edhe dialogun me Serbinë.

Njomza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS dhe Rreze Hoxha-Zhuja, hulumtuese në GLPS, prezantuan rekomandimet e GLPS për Qeverinë Kurti 2.

Sipas GSPL, një ndër prioritet kryesore dhe të pa kompromis të qeverisë duhet të jetë menaxhimi i mëtutjeshëm me pandeminë COVID-19. “Për të mbajtur nën kontroll situatën me pandeminë, Qeveria e Kosovës duhet që vazhdimisht të rishikoj masat e vendosura konform trendit të infektimit. Përtej kësaj, e rëndësisë më të madhe mbetet testimi i rregullt dhe sigurimi i vaksinave në mënyrë të vazhdueshme. Për të arritur këtë, Kosova duhet të kërkoj mbështetje nga Bashkimi Evropian, por edhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, të cilat kanë dhënë indikacione të qarta për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim”.

GLPS konsideron që qeveria duhet synuar që deri në fund të vitit të vaksinojë së paku gjysmën e popullsisë. Për të arritur këtë duhet të krijohet infrastruktura e nevojshme, duke përfshirë këtu edhe digjitalizimin e të dhënave të të vaksinuarve, në mënyrë që ky proces të jetë sa më transparent dhe të mos lejohet vaksinimi selektiv në asnjë mënyrë. Me rastin e sigurimit të sasisë së vaksinave, Ministria e Shëndetësisë duhet që paralelisht të zhvilloj një fushatë sensibilizuese për t’i inkurajuar qytetarët që të vaksionohen, dhe kështu të eliminoj zërat e mundshëm që janë skeptik drejt një gjëje të tillë. Mbrojtja e të drejtave të pacientëve të cenueshëm, modernizimi dhe decentralizimi i mëtutjeshëm i shërbimeve mjekësore, mbajtja e trurit profesionist në Kosovë dhe antarësimi në OBSH poashtu duhet të jenë pjesë e planit qeveritar.

Më tej GSPL konsideron se krahas menaxhimit me pandeminë, Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë të ndërmarrë masa për sanimin e pasojave që solli COVID-19 në ekonominë e vendit.

“E rëndësisë së menjëhershme është implementimi i drejtë dhe transparent i pakos për rimëkëmbje ekonomike, përkatësisht, mjeteve që kanë mbetur pa shpërndarë, por edhe të siguroj mbështetje të vazhdueshme për ata sektor që preken rëndë nga masat dhe jo vetëm. E dyta, qeveria duhet të bëjë një analizë të thellë të dëmeve të shkaktuara nga COVID-19 në të gjithë sektorët ekonomik dhe të hartoj një plan që adreson nevojat e mejëhershme të sektorit privat. Një aspekt shumë i rëndësishëm që u vu edhe më shumë në pah nga pandemia është edhe informaliteti jashtëzakonisht i lartë në Kosovë. Prandaj, GLPS konsideron që lufta kundër informalitetit duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të qeverisë, dhe një gjë e tillë duhet të bëhet në koordinim të plotë me institutcionet përgjegjëse”.

“Forcimi i sundimit të ligjit mbetet thelbësor për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit. Në këtë drejtim, GLPS konsideron që vetingu në sistemin e drejtësisë është reforma e parë dhe më e rëndësishme që duhet nisur menjëherë. Qeveria duhet fokusuar në gjetjen e modaliteteve për realizimin e suksesshëm të këtij procesi. Poashtu, mbetet thelbësore të reformohet i tërë sistemi i rekrutimit dhe disiplinimit të gjyqëtarëve dhe prokurorëve përmes ndryshimit të mekanzimave ekzistues, si dhe fokus i veçantë duhet vënë edhe në miratimin e Ligjit për Konfliktet Administrative, që është baze për rregullimin e drejtësisë administrative në vend”, thotë GSPL, përcjell Telegrafi.

Më tej thuhet se në përputhje me premtimin kryesor elektoral, Qeveria Kurti duhet të ndërmarrë menjëherë një sërë veprimesh për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar jashtëzakonisht të përhapur në vend. Fillimisht duhet të angazhohet në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për deklarim të drejtë dhe të rregullt të pasurisë së zyrtarëve publik, si dhe, duhet të procedoj me finalizimin dhe aprovimin e Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ashtuqë çdo aset që nuk mund të justifikohet nga pala (barra e provës), i njejti të konfiskohet nga gjykata.

“Në anën tjetër, integrimi në Bashkimin Evropian mbetet perspektiva e vetme për shtetin e Kosovës. Instrumenti më i rëndësishëm që Kosova ka për momentin në këtë drejtim mbetet MSA-ja. Prandaj, GLPS rekomandon qeverinë që të aprovoj menjëhere Programin Kombëtar për Zbatim të MSA-së (PKZMSA) si dhe Agjendën për Reforma Evropiane II (ERA II), të cilat ende nuk janë aprovuar. ERA II në asnjë mënyrë nuk duhet aprovuar në mënyrë unilaterale por e njejta të bëhet me aprovim edhe të Zyrës së BE-së në Kosovë, sepse në të kundërtën i humb e gjithë rëndësia. Implementimi i plotë i të dy këtyre dokumenteve strategjike mbetet shumë i rëndësishëm”.

Sipas GLPS,  Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në ndërtimin e një dialogu të mirëfillt me Parlamentin Evropian përmes krijimit të strukturave qeveritare kompetente për të ndërtuar nje komunikim të vazhdueshëm me këtë institucion të rëndësishëm të BE-së.

“Në të njëjtën kohë, GLPS konsideron që Qeveria e Kosovës duhet të hartoj një strategji për të lobuar karshi shteteve skeptike sikurse Franca, dhe të bind këto shtete se Kosova në fakt ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizim të vizave, dhe nuk ekziston ndonjë arsye valide për të mos u aprovuar një proces i tillë. Hap tjetër me rëndësi është fillimi i ndërtimit të marrëdhënieve të shëndosha me Greqinë, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë dhe Spanjën, me qëllim final njohjen e shtetësisë së Kosovës. Pa njohjen e këtyre pesë shteteve anëtare, rruga e integrimit Evropian do jetë e vështirë dhe me shumë sfida”.

“Një aspekt tjetër shumë që kërkon poashtu përkushtim është Reforma në Administratë Publike, një proces shumë kompleks por me shtytje të madhe nga Bashkimi Evropian. Qeverisja e mirë dhe një administratë profesionale dhe efikase mbesin thelbi i procesit të integrimit Evropian. Ndër hapat e parë që qeveria duhet të ndërmarrë është finalizimi i ristrukturimit të administratës shtetërore, racionalizmi i agjencive ekzekutive, rregullatore dhe të pavarura, dhe organizimi i brendshëm i administrates shtetërore, përfshirë këtu edhe pjesën e klasifikimit të vendeve të punës. Poashtu, qeveria duhet të siguroj një administratë të hapur (Open Government) dhe të fuqizoj sistemin e qeverisjes elektronike (E-Qeverisja). Sa i përket strukturës së qeverisë, mbetet shumë i rëndësishëm miratimi i Ligjiit për Qeverinë duke u mbështetur edhe në rekomandimet e ofruara nga Komisioni i Venecias. Ligji për Paga duhet të adresohet sa më parë në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.