Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadës së saj në Prishtinë mbrëmë menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli valid dekretin e Presidentit për mandatarin, kanë kërkuar që të gjitha institucionet dhe partitë politike të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta zbatojnë atë.

Ndërkaq, lidhur me vendimin e kushtetueses nuk ka ende reagim zyrtar të e shteteve të tjera që përbëjnë pjesën tjetër të trupës diplomatike të Quintit që përveç ShBA’së,  edhe Gjermania, Britania e Madhe, Franca e Italia, raporton Gazeta Express.

Për Gazetën Express ndërkaq kanë folur nga Brukseli. Zyrtarët atje kanë kërkuar që ndërmerren hapat e nevojshëm për të implementuar vendimin e Kushtetueses.

Në faqet zyrtare të ambasadave të shteteve të Quint’it në Facebook dhe Twitter dhe të Zyrës së BE’së në Prishtinë nuk ka pasur deri më tani ndonjë reagim lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka rishpërndarë një shkrim të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e cila ka shkruar se nuk ka alternativë tjetër por të pranohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Përderisa ambasadat e tjera nuk kanë bërë ndonjë reagim, ambasada e Italisë në Kosovë përmes Facebook-ut ka shkruar se autoritetet e Kosovës duhet të mbështesin Sundimin e Ligjit dhe të parandalojnë rifillimin e rasteve penale të profilit të lartë në mungesë të seancave të pandemisë, duke mos komentuar vendimin e kushtetueses.

By I ZH