Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdoğan njoftoi se gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 53 janë lënduar nga shpërthimi në sheshin Taksim të Stambollit.

Shpërthimi raportohet se ndodhi sot në orën 16:20 sipas kohës lokale, me këtë rast u mobilizuan, zjarrfikësit, policët dhe ekipet mjekësore.

Shpërthimi ka shkaktuar zhurmë të madhe, kurse ekipet e policisë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë marrë masa sigurie në rrugë.

Pamjet të shpërndara në rrjetet sociale kanë treguar në kënde të ndryshme shpërthimin e së dielës, ku kishte grumbull të njerëzve.

Bazuar në informacionin fillestar nga guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, Erdogan tha se shpërthimi mund të jetë akt terrorist.

“Turqia nuk do të përkulet para terrorizmit. Ne do të identifikojmë të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin”, u shpreh Erdogan.

“Vendi ynë duhet të jetë i sigurt se autorët e incidentit në rrugën Istiklal do të dënohen siç e meritojnë”, shtoi ai. /Telegrafi/