Bota Lajme

Franca me rënie të thellë të ekonomisë

Sipas një parashikimi të ministrit të Financave, Bruno Le Maire, ekonomia franceze po tkurret më shumë nga sa mendohej më parë, për shkak të krizës së Coronavirusit.

Produkti i Brendshëm Bruto pritet të bjerë 8 për qind këtë vit, tha Le Maire. Deri tani, pritej një rënie prej 6 përqind.

Ai e justifikoi rënien më të madhe me faktin se masat e mbylljes zgjatën më shumë sesa ishte parashikuar.

“Kriza e Coronavirusit pritet gjithashtu ta thellojë borxhin në në një nivel të ri rekord, për ekonominë e dytë në Eurozonë, pas Gjermanisë. Deficiti shtetëror pritet të jetë këtë vit 9 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Një deficit të tillë vendi ynë nuk e ka përjetuar kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ministri i Buxhetit, Gerald Darmanin për France Info.

Deri tani, pritej një borxh prej minus 7.6 për qind.

Kjo në një kohë kur deri në nëntorin e vitit të kaluar, Franca, e cila prej kohësh nuk ka qenë në gjendje të kryejë reforma dhe është ngadalësuar nga greva të vazhdueshme, shihej nga disa se po kthehej në motor të Eurozonës. Për 2019 ekonomia e Francës u rrit me rreth 1.3 për qind. Kjo rritje ishte dy herë më e lartë se e ekonomisë gjermane, e cila u rrit vetëm me 0.6 për qind.

Sipas parashikimit të OECD-së, për vitin 2020 qe parashikuar që Produkti i Brendshëm Bruto i Francës të rritej me 1.2 për qind.

Kompanitë franceze qenë vjet jashtëzakonisht optimiste – pjesërisht falë uljes së taksave dhe tatimeve. Ato i rritën investimet me 0.9 për qind në tremujorin e dytë – pas një rritjeje prej 0.5 përqind në tremujorin e parë. Projektet e investimeve qenë në 2019-në në nivelin e tyre më të lartë në tre vjet.

Veç kësaj, varësia e pakët e Francës nga eksportet ushtroi një ndikim pozitiv. Në muajin tetor dëshira për të blerë e francezëve ishte në nivelin më të lartë në pothuajse dy vjet. Konsumi është shtysa kryesore e ekonomisë franceze.

Presidenti Emmanuel Macron njoftoi një zgjatje edhe për katër javë të kufizimeve të daljes, deri në 11 maj. Që nga mesi i marsit, francezët lejohen të dalin vetëm nga shtëpitë dhe apartamentet e tyre për të shkuar në punë ose te mjeku, për të blerë sende ushqimore ose për të bërë disa sporte vetëm në natyrë. /Deutsche Welle/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *