Nën thirrjet “Asnjo ma shumë”, “Nuk po nina e sigurtë”, mijëra protestues po vazhdojnë të protestojnë para ndërtesës të Qeverisë së Kosovës.

Disa prej protestuesve janë ulur në shkallët hyrëse të këtij objekti, ndërsa të tjerët me pankarta në duar po qëndrojnë në oborrin e qeverisë.

Ata kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të xhamave të kësaj ndërtese.

Protesta ka filluar në ora 12:00 dhe protestuesit kanë vazhduar marshin nga sheshi “Zahir Pajaziti” tek objektet e disa prej organeve të rendit e të drejtësisë në Kosovë.

Protestuesit kanë gjuajtur me ngjyrë të kuqe në drejtim të objektit të Prokurorit të Shtetit, ministrisë së Drejtësisë, për te vazhduar më pas të objekti i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme e më pas edhe tek objekti i Avokatit të Popullit.

Protestuesit kanë ngjyrosur me bojë ngjyrë të kuqe emrat e këtyre institucioneve.

Dyshimet për dhunimin e 11-vjeçares nga pesë persona, tre nga ta të mitur, gjatë një intervali kohor prej 7 orë, ka mbledhur me qindra protestues në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Në këtë protestë po kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Protesta vjen si rezultat i ngjarjes së rëndë që ndodhi më 27 gusht 2022, kur edhe dyshohet se u dhunua 11-vjeçarja.