Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i është përgjigjur deklarimit të mbrëmshëm të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se “me shkopin e tij, Isa Mustafa po e sulmon më shumë Vjosa Osmanin se sa që e përdorë të mbahet gjatë ecjes së tij”, deklaratë kjo që solli reagime të mëdha publike.

Nga selia e partisë së tij, Mustafa ka thënë se është e ulët të thuhet një fjalë e tillë, për një grua që është nënë, në këtë rast Vjosa Osmani, shkruan lajmi.net.

“Është e ulët të thuhet për një grua, një nënë të fëmijëve, që dikush po e sulmon me shkop. Raportet me të janë të mira dhe mbesin të mira, pa marrë parasysh mocionin e mosbesimit dhe koalicionin. Asnjë rast s’kam manifestuar sjellje të shkopit apo agresive për të cilat Kurti apo dikush tjetër mund t’i vë në emrin tonë”, ka thënë Mustafa.

Tutje, Mustafa ka folur edhe për marrjen e mandatit nga presidenti për formimin e qeverisë, për të cilën ka thënë se janë duke pritur veprimin e presidentit Thaçi.

“Po presim nga presidenti kur po na thërret dhe ne do t’i përgjigjemi thirrjes së tij”, ka deklaruar kreu i LDK-së.

Ndryshe, Kurti mbrëmë në një intervistë tha se nuk mund të ketë bvashkëpunim me LDK-në, përderisa sipas tij Isa Mustafa e përdorë më shumë shkopin e tij për të goditur Vjosa Osmanin se sa për të ecur me të.

“Nëse do të kishte ndryshim në udhëheqjen e LDK-së qoftë për nga kursi, qoftë për nga personalitet do të ishte e mundshme një gjë e tillë, mirëpo siç është tani nuk mund të them se ka bashkëpunim nëse mbështetet presidenti. Nëse kryetari i LDK-së e përdor shkopin e tij më shumë për të goditur zonjën Osmani se sa për të ecur më të”, ka thënë ai në TV Syri. /Lajmi.net/

By I ZH

Leave a Reply