Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka marrë pjesë gjatë pranim-dorëzimit të 4800 vaksinave nga Pfizer, nga gjithsej 8000 vaksina që janë siguruar nga Serbia, transmeton Alsat. Filipçe njoftoi se të mërkurën do të nis imunizimi kundër Covid-19 në vend, ku fillimisht me këto vaksina do të imunizohet një pjesë e personelit mjekësorë.

“Falënderoj presidentin Vuqiç për këtë gjest miqësor. Kjo krizë ka treguar se solidariteti është i rëndësishëm dhe se nuk ka kufij. Ne jemi plotësisht të përgatitur, vaksinat janë tashmë në rrugën e tyre për t’u vendosur në frigoriferët e duhur. Pas njoftimit të Pfizer të premten në mbrëmje, kemi punuar deri dje. Nënshkruam marrëveshjen trepalëshe, e cila ishte praktikisht një kusht që të ndodhte ky donacion nga Serbia. Vaksinat janë në vendin tonë sot. Procedura e rregullt në Agjencinë e Ilaçeve do të përfundojë nesër, pas së cilës vaksinimi do të fillojë të mërkurën me punëtorët shëndetësorë në klinikën modulare në Qendrën Klinike në Shkup ”, theksoi Filipçe.

By I ZH