Kronika Rajoni

Fiks Fare/ “Banda” e policëve ther dhe tenton të vrasë qytetarët, asnjë në burg!

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e një “bande” policore në Sarandë, anëtarët e së cilës therin dhe tentojnë të vrasin banorët. Për muaj me radhë, në qytetin bregdetar kanë ndodhur disa ngjarje kriminale, ku disa autorë janë pjesë e Policisë së Shtetit dhe Policisë së Burgjeve, ose kanë lidhje familjare me këta punonjës të ruajtjes së rendit. Por, deri në ditët e sotme, asnjë punonjës nuk është vënë nën akuzë, por vetëm shoqëruar dhe më pas janë lënë të lirë.

Disa ditë më parë, emisioni investigativ denoncoi një ngjarje kriminale të ndodhur në muajin qershor 2020. I dëmtuari Arjan Hoxha ankohej se një punonjës i policisë së burgjeve, Ilmi Limaj, e kishte qëlluar me qytën e pistoletës. Madje, më pas e kishte shtrirë përtokë duke i drejtuar edhe pistoletën. Limaj u ndihmua nga kunati i tij Beso Qorri dhe nga të afërm punonjës të policisë së Sarandës. Ngjarja e qershorit është arkivuar, pasi prokuroria nuk faktoi se ishte përdorur pistoletë, megjithëse ngjarja ishte në sytë e dhjetëra dëshmitarëve. Këta të fundit pranuan para gazetarëve të Fiks Fare se autori kishte përdorur armën e punës, duke vënë në rrezik dhjetëra klientë të lokalit.

Por, disa ditë pas publikimit të këtij investigimi, në redaksinë e Fiks Fare mbërriti një tjetër ankesë. Elida Papagjika ankohet se, të njëjtët
autorë të plagosjes dhe tentativës së vrasjes së Arjan Hoxhës, kanë plagosur dhe kanë tentuar të vrasin edhe vëllanë e saj. Ngjarja e dytë ka ndodhur në fund të muajit gusht 2020 në Sarandë, ku 5 persona kanë qëlluar me thikë Dino Majkon. Elida thotë se autorët veprojnë si bandë në Sarandë, pasi kanë lidhje të forta me strukturat e Policisë së Shtetit. Më tej pohon se ngjarja, megjithëse ka pasur kamera sigurie, nuk është zbardhur plotësisht.

Fiksi bisedoi edhe me të dëmtuarin, Dino Majko, i cili është plagosur me thikë nga kjo ngjarje. Ai pohon se ka pasur vetëm një debat të vogël dhe më pas është gjurmuar nga Beso Qorri, djali i tij, Ilmi Limaj dhe persona të tjerë. Por, pavarësisht se për ngjarjen ka prova filmike, prokuroria ende nuk ka asnjë person të arrestuar. Në videon që disponon Fiks Fare shikohen qartë veprimet e z.Beso Qorri, djalit të tij, të cilët qëllojnë në befasi Dino Majkon. Ata e ndjekin edhe brenda në lokal, ndërsa e qëllojnë edhe me thikë. Në ngjarje merr pjesë edhe punonjësi i Policisë së Burgjeve, Ilmi Limaj, i cili sipas denoncuesve, zhduk nga vendi i ngjarjes thikën.

Por, pavarësisht se ngjarja ka ndodhur në fund të muajit gusht, prokuroria e Sarandës nuk ka asnjë person të arrestuar. Familja e Dino Majkos pretendon me të drejtë, duke u bazuar në pamjet filmike, se ngjarja është tentativë vrasje. Autorët i shkojnë të dëmtuarit në lokalin ku po pinte kafe dhe e qëllojnë me thikë. Policia e ka cilësuar ngjarjen si tentativë vrasje, duke bërë edhe referimet përkatëse. Ndërkohë, prokurori Ilir Hoxha ka bërë rikualifikimin e ngjarjes, duke lehtësuar autorët e dyshuar.

Në takim mes prokurorit dhe të dëmtuarit, prokurori Hoxha thotë se autorët janë liruar nga gjykata. Ai i sugjeron Dinos që mos të bëjë vetëgjyqësi, por nuk i jep asnjë shpresë se ngjarja do të zbardhet. Dhe deri më tani, kur kanë kaluar rreth 45 ditë nga ngjarja, askush nuk është nën akuzë apo i ndaluar. Këto veprime kanë ngritur dyshime te familja Majko se, ashtu si në rastin e parë, prokuroria po tenton të mbrojë autorët të cilët janë punonjës policie, apo familjarë të tyre.