Gjermania ka rivendosur masa kufizuese në dy distrikte në perëndim të vendit, një zonë me qindra mijëra banorë. Masat u morën pasi u zbulua një vatër infeksioni me koronavirus në një fabrikë për përpunimin e mishit. Infeksione të ngjashme janë zbuluar në një numër fabrikash mishi në vende të ndryshme të botës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Londra se shfaqja e vatrave të infeksionit ka zgjuar shqetësimin në Evropë për një valë të dytë të pandemisë.

Skena të frikshme për shumë qeveri evropiane: një shpërthim i ri i koronavirusit dhe rikthimi i masave për kufizimin e lëvizjes.

Qindra punonjës në një fabrikë për përpunimin e mishit në qytetin gjerman Rheda-Wiedenbrück në perëndim të vendit rezultuan pozitivë për koronavirus gjatë javës së kaluar.

Autoritetet shtetërore kanë vendosur kufizime të lëvizjes në një zonë që përfshin dy distrikte, vetëm disa javë pasi Gjermania lehtësoi masat e izolimit në shkallë kombëtare.

“Synimi ynë është të qetësojmë situatën dhe të vazhdojmë testimet në mënyrë që të arrijmë në konkluzion nëse virusi po përhapet në popullatë përtej punonjësve të fabrikës,” thotë guvernatori i landit ku u vendosën masat.

Banorët shprehën mërzi për rikthimin e masave kufizuese.

“Të gjithë duhet të izolohemi nga pak. Mendoj se është masë e logjikshme. Por më duket e tmerrshme që po rivendosim izolimin tani që sapo rikthyem pak lirinë,” thotë një banore.

Kjo vatër infeksioni në Gjermani pason shfaqjen e vatrave të ngjashme në fabrika mishi në Britani, Shtetet e Bashkuara dhe Spanjë. Ekspertët thonë se kushtet në këto fabrika e bëjnë më të lehtë përhapjen e virusit:

“Mishi mbahet në temperaturë të ulët dhe kjo luan rol. Një tjetër faktor është edhe qarkullimi i ajrit me forcë që e shpërndan virusin,” thotë Dr. Lothar Wieler.

Ndërkaq, Britania njoftoi zbutje të masave të izolimit. Restorantet, pabet dhe kinematë do të rihapen më 4 korrik. Por këto lehtësime sjellin edhe rrezik.

“80-90% e njerëzve ende nuk janë infektuar dhe nuk kanë antitrupa që t’i mbrojnë nga infeksioni për të herë të dytë. Kjo nënkupton se çdo ndryshim në sjelljen e tyre i bën këta individë më të rrezikuar nga infeksioni. Nëse shohim përhapje me ritmet që u vërejtën në shkurt e mars, do të përballemi me një valë të dytë të epidemisë,” thotë mjeku virolog Muhammad Munir.
Kërcënimi i një vale të dytë dhe i mbylljes për herë të dytë, e ka ulur entuziazmin që po ndjenin britanikët për rihapjen:

“Një ditë do të rikthehet, si gripi, si e ftohura, si sëmundje të tjera. Nuk do të doja të isha në vend të udhëheqësve që duhet të marrin vendime se çfarë të bëjmë,” thotë një banor i Londrës.

Për momentin, autoritetet gjermane thonë se infeksioni në fabrikën e mishit mbetet i lokalizuar. Për Evropën dhe ekonominë e saj të dërrmuar, një valë e dytë e pandemisë do të ishte një kërcënim serioz.

By I ZH