Fronti i fuqishëm i ftohtë direkt nga Poli Verior ka përfshirë shumicën e Kontinentit Evropian duke sjellë dimrin pas temperaturave pranverore ditëve dhe javëve të kaluara.

Kjo goditje e fuqishme Arktike pritet të jetë mjaft e rrezikshme dhe potencialisht shumë e dëmshme për kulturat bujqësore, pemëtarinë dhe në përgjithësi për vegjetacionin në Evropë pasi që atje vegjetacioni është në fazën e vet të bujshme për arsye se temperaturat ishin të larta për shumë ditë për dallim nga rajoni ynë ku temperaturat ishin të ulëta gjatë gati krejt muajit Mars.

Pas kalimit të frontit dhe reshjeve të borës pritet kthjellim i motit dhe depërtim i mëtutjeshëm i ajrit shumë të ftohtë Arktik në shumë pjesë të Evropës.

Deri më tani fronti ka arritur deri në Evropen qendrore dhe Alpe dhe deri në mëngjes mund të arrijë deri në Slloveni.

Më orët e mëngjesit në Gjirin e Gjenovës në Italinë veriore pritet të krijohet cikloni sekondar si pasojë e ”trysnisë” së fuqishme e ajrit të ftohtë dhe frontit të fuqishëm dimëror.

Cikloni sekondar pritet të rrugëtojë në Detin Adriatik duke kushtëzuar reshje të fuqishme bore që nga Sllovenia e deri në veriun e Malit të Zi.

Fronti i fuqishëm dhe cikloni në Kosovë pritet të arrijnë rreth mesnatës duke kushtëzuar fillimisht reshje shiu në Dukagjin e reshje të dendura bore në veri të Kosovës. Pas mesnatës reshje bore priten në gati tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Reshje më të dendura bore priten në Dukagjin dhe Drenicë, por lokalisht edhe në vise tjera sidomos në veri të vendit sidomos në orët e mëngjesit të së mërkurës.

Nga e enjta acar në mëngjes dhe ftohtë gjatë ditës, por edhe intervale kohore me diell, ndërsa nga e premta stabilizim gradual i motit dhe ngritje graduale e temperaturave ditore./Meteoballkan

By B I