Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se në kuadër të masave për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) Turqia do të pezullojë të gjitha fluturimet ndërkombëtare, përderisa numri i vdekjeve nga pandemia në vend u rrit në 92.

Në një fjalim drejtuar kombit, Erdoğan tha se “të gjitha fluturimet ndërkombëtare janë pezulluar për një periudhë të pacaktuar”.

Sa i përket transportit të brendshëm, presidenti turk tha se udhëtimet brenda qyteteve tani do t’u nënshtrohen lejes së autoriteteve lokale.

Duke theksuar se Turqia ka klasën më të mirë të shtretërve të kujdesit intensiv për popullatën, Erdoğan tha se ata po rrisin prodhimin e respiratorëve.

“Nëse i marrim të gjitha këto masa paraprake, me lejen e Allahut besojmë se do ta kapërcejmë këtë çështje”, tha presidenti turk, duke i bërë thirrje popullit të qëndrojnë të qetë dhe të mos frikësohen.

“Ne vazhdojmë luftën të vendosur kundër COVID-19, së bashku me popullin tonë, me bindjen se asnjë fatkeqësi nuk është më e madhe se fuqia jonë”, shtoi Erdoğan.

Duke folur në një konferencë shtypi pas një mbledhje të Këshillit të Shkencës, Erdogan njoftoi disa masa të reja për të luftuar shpërthimin e COVID-19.

Si sektori privat ashtu edhe ai publik do të kalojnë në oraret fleksibël të punës me staf minimal, tha ai.

Në qytete, distanca sociale do të zbatohet në transportin publik. Pikat piknike, pyjet dhe vendet arkeologjike do të mbyllen gjatë fundjavave, raporton Daily Sabah.

Erdogan gjithashtu u bëri thirrje 83 milion qytetarëve të Turqisë të zbatojnë një “karantinë vullnetare” dhe të lënë shtëpitë e tyre vetëm për nevoja themelore dhe emergjente.

Pas shfaqjes dhjetorin e kaluar për herë të parë në Wuhan të Kinës, koronavirusi i ri është përhapur në të paktën 175 vende dhe rajone.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, mbi 585 mijë raste janë raportuar në të gjithë botën, me mbi 26.500 vdekje dhe rreth 129.500 të shëruar.

Italia, Kina, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë vendet më të prekura nga ky virus, i shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pandemi globale.

By I ZH

Leave a Reply