Shkruan: Dr. Argjend Imeri

Kanceri i gjirit dhe COVID – 19

COVID 19, Sëmundja me virusin korona nga viti 2019 (Coronavirus disease -COVID-19), është sëmundje e re shkaktuar nga virus i ri korona, i ashtuquajtur SARS-nCoV-2, virus nga familja koronvirus, që për herë të parë u zbuluanë Kinë, në dhjetor të vitit 2019.

Shumica e personave të infektuar me COVID-19 do të ndjejnë sëmundje respiratore të lehtë deri në të mesme pa asnjë lloj trajtimi të veçantë.
Por, personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, ata me diabet, me kancer (siç është edhe kanceri i gjirit) mund të ballafaqohen me një pasqyre klinike më të theksuar dhe më kritike.

Është shqetësuese për të gjithë ne, kur dëgjojmë raportet e lajmeve për përhapjen e virusit, numrin në rritje të personave të infektuar, kthimin e orës policore dhe ekspertët që vazhdojnë të na këshillojnë, të kemi kujdes, të qëndrojmë në shtëpi, të kufizojmë kontaktet me të afërmit dhe personat tjerë.

Përshtatja ndaj kësaj rutine të re, ku shkollat dhe bizneset janë ende të mbyllura gjithsesi është vështirë për të gjithë ne dhe shumica mbetemi të brengosur për ndikimin që kjo gjendje do ketë për vendet tona të punës, financat dhe ekonominë në përgjithësi.

Por për personat me gjendje të rëndë shëndetësore siç janë ata me kancer në gji dhe familjarët e tyre, pasiguria e kësaj situate, nevoja për distancë sociale si dhe vonesat me të cilat ballafaqohen në diagnostikim si dhe në trajtimin e sëmundjes, mbeten preokupim dhe shqetësim kryesor.

Sipas qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), rreziku për t’u sëmurur rëndë nga COVID-19 është i ulët për shumicën e njerëzve.

Sidoqoftë, është shumë me rëndësi të dimë se njerëzit që trajtohen prej kancerit në gji mund të jenë në një rrezik shumë më të lartë për t’u sëmurur rëndë nga COVID-19.

Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mbi efektet e koronavirusit citon shkallën e vdekjes tek njerëzit me çfarëdo lloji të kancerit të jetë mbi 7.6%.

Në përgjithësi informacioni i detajuar për kancerin në gji dhe COVID -19 është shumë i kufizuar, për arsye se COVID-19 është një sëmundje e re, për të cilën ende mungojnë studime gjithëpërfshirëse, për të hulumtuar ndikimin që ka sëmundja tek personat me kancer në gji.
Sidoqoftë dihet që trajtimet që bëhen për kancerin e gjirit, ku bëjnë pjesë kimioterapia, imunoterapia si dhe rrezatimi, e dobësojnë sistemin imunitar dhe si pasojë shkaktojnë probleme me mushkëritë. Personat që e kanë të dobësuar sistemin imunitar, ose kanë probleme me mushkëritë kanë një rrezik shumë më të lartë të komplikimeve nëse infektohen me këtë virus.

Për shumicën e pacientëve, sistemi imunitar rikuperohet brenda dy muajve pas përfundimit të tretmanit, kështu që ata që janë trajtuar nga kanceri në gji në të kaluarën, jo domosdoshmërisht kanë një rrezik më të lartë për t’u sëmurur rëndë nga COVID – 19.

Pacientët me kancer në gji të metastazuar në mushkëri, gjithashtu mund të kenë probleme të mushkërive që mund të përkeqësohen rëndë nëse zhvillojnë COVID-19.
Shumë spitale dhe qendra të tjera të kujdesit shëndetësor gjatë kësaj periudhe, vonojnë ose rekomandojnë që të shtyni intervenimet kirurgjike, skriningun dhe procedurat e tjera që nuk konsiderohen urgjente dhe gjithë këto vendime të vështira merren për disa arsye:
-për të mbrojtur pacientët nga ekspozimi i panevojshëm ndaj virusit si dhe
-për të siguruar që institucionet shëndetësore të kenë në dispozicion kapacitetet e nevojshme për të trajtuar të sëmurët rëndë nga COVID-19.
Pasi që virusi tani është i përhapur në pjesën më të madhe të vendeve të ndryshme të botës dhe ka marrë përmasat e një pandemie, edhe tek ne kemi një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve, me dallime ndonjëherë të theksuara në rajone dhe komuna të ndryshme, kështu që rreziku juaj i kontaktit me virusin mbetet i lidhur ngushtë edhe me vendbanimin tuaj.
Çka është ajo që duhet të ndërmerrni për të mbrojtur veten dhe të tjerët në këtë situatë?
Deri tani mënyra më e mirë që të mos sëmuremi nga COVID 19, mbetet të mos i ekspozohemi virusit, përderisa ende nuk ka barna për trajtimin e sëmundjes si dhe vaksina për të parandaluar atë.

Vazhdon të mbetet e pazëvendësueshme ndërmarrja e masave parandaluese, për të zvogëluar rrezikun për t’u sëmurur nga virusi, në veçanti kur kemi problem serioz shëndetësor siç është kanceri në gji, i cili prek 12 % të popullatës femërore në botë.
Edhe tek ne si në shumë vende të botës rekomandohet dhe inkurajohet ruajtja e distancës sociale (ose fizike) me qëllim zvogëlimin e përhapjes së COVID-19.

Distanca sociale nënkupton kufizimin dhe parandalimin e kontaktit të afërt me personat e tjerë edhe kur ato duken të jenë të shëndoshë, me qëllim zvogëlimin e rrezikut nga infeksioni si dhe parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit.

Te qëndruarit në shtëpi dhe mos kontaktimi me më të dashurit tuaj mund të jetë i vështirë, por mbetet zgjedhja e vetme shumë e rëndësishme që duhet ta ndërmerrni tani, për sigurinë tuaj si dhe për të mirën e përgjithshme.

Praktikat e distancimit social për personat me kancer ne gji ashtu siç edhe ato me rrezik të rritur përfshijnë si vijon:
• të qëndruarit në shtëpi
• shmangjen e hapësirave publike
• shmangjen e transportit publik dhe udhëtimeve të panevojshme
• shmangjen e tubimeve shoqërore, dasma, ahengje, dreka, darka të përbashkëta etj.
• të punuarit nga shtëpia, sipas mundësive
• të qëndruarit të paktën 2 m larg nga personat tjerë, kur jemi në vende publike.
• shmangjen e kontaktit fizik, siç janë shtrëngimet e duarve, përqafimet dhe puthjet në situata sociale
• shmangjen e kontaktit me njerëzit që janë ose mund të jenë të sëmurë
• shtyrja e vizitave mjekësore jo urgjente (tek mjeku ame, radiologu dhe onkologu juaj), ose mundësisht zëvendësimi i tyre me vizita dhe konsultime virtuale përmes telefonit ose internetit.
Përveç kufizimit të kontaktit me personat tjerë, më poshtë do përmendim edhe disa hapa që mund t’i ndërmerrni për të ndihmuar në mbrojtjen e vetes dhe të tjerëve kundër këtij virusi ose çfarëdo mikroorganizmi tjetër të dëmshëm, e ato janë:
• Larja e shpeshtë e duarve, duke përdorur sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda, veçanërisht pasi të keni dalë jashtë në vende publike.
• Përdorimi i dezinfektuesve për duar me bazë alkooli, me të paktën 60% alkool, kur sapuni dhe uji nuk janë në dispozicion.
• Mos e prekja e fytyrës, syve, gojës dhe hundës, kur duart nuk i keni të pastra si dhe të bëni zakon të mos prekni fytyrën kur jeni jashtë shtëpisë suaj.
• Mbajtja e maskës për fytyrë në vende publike.
• Pastrimi dhe dezinfektimi i sipërfaqeve që prekni çdo ditë, duke përfshirë gjërat për të cilat ndoshta nuk keni menduar siç janë, dorezat e dyerve, ndërprerësit e dritës, dorezat e rubinetave, telefonat dhe celularet tuaj.
• Praktikoni stil të shëndetshëm jetësor: hani ushqim të shëndetshëm, bëni stërvitje, shmangni ose kufizoni alkoolin, mos pini duhan dhe bëni gjumë të mjaftueshëm.
• Përdorni syze nëse mbani thjerrëza të kontaktit për të parandaluar prekjen e panevojshme dhe të shpeshtë të syve, ose të paktën ndiqni rekomandimet për higjienën e duhur të thjerrëzave të kontaktit.

Në veçanti nëse jeni duke marrë trajtim për kancerin në gji, që e dobëson sistemin tuaj imunitar, ose shkakton probleme të mushkërive siç përmendem më sipër, apo keni kancer të metastazuar të gjirit në mushkëri, masat parandaluese si më poshtë janë më se të domosdoshme:
• jini tepër vigjilentë në lidhje me higjienën e duarve dhe mos prekjen e fytyrës tuaj!
• shmangni kontaktin e afërt me miqtë dhe familjen ose ndërmerrni masa mbrojtëse nëse prej atyre personave varet kujdesi juaj mjekësor!
• bëni një plan me mjekun tuaj për të monitoruar simptomat!
• bëni plan me punëdhënësin tuaj për të punuar nga shtëpia, nëse kështu nuk jeni duke vepruar deri tani!
• rezervoni dhe caktoni paraprakisht në telefon vizitat dhe trajtimet e juaja mjekësore!
• mos hezitoni të kërkoni nga të afërmit, miqtë apo anëtarët e familjes që të bëjnë blerjen e sendeve ushqimore ose ilaçeve për ju!

Dhe diçka për të gjithë ne që së bashku jemi duke i kaluar këto momente të vështira, qoftë ju që qëndroni në shtëpi, qoftë ne që jemi në vijën e parë të frontit, të mos harrojmë që shpresa, optimizmi dhe guximi, janë gjithashtu ngjitëse, të vazhdojmë ti përhapim sa më shumë mesin tonë!

By I ZH