Nënshkrimi i paqes mes Perandorisë Osmane dhe shteteve ballkanike krijoi një situatë të nderë për forcat e mbrojtjes. Hasan Riza Pasha refuzoi të nënshkruante armëpushimin me serbo-malazezët. Këta të fundit, pas tërheqjeve taktike ktheheshin për të goditur më furishëm. Artileria nuk kursente as objektet e kultit, as konsullatat. Për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet po i referohemi një ditari anonim, që ruhet në arkiva dhe që do të botohet së shpejti.

Në fund të dhjetorit 1912 autori shkruan se mes komandantit Hasan Riza Pashës dhe zëvendëskomandantit Esat Pashë Toptanit kishte patur dy përplasje, “por i kishin hi ndërmjet asqeria e të mdhajt”. Kjo tregon se mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me taktikën e luftës dhe çështje të tjera kishin shpërthyer hapur në sy të ushtarëve dhe drejtuesve kryesorë të shtabit.

Por, një nga shënimet më interesante të këtij ditari është ai datës 26 janar 1913, ku autori shkruan: “Do thonë edhe qi Hasan Rizaja, komandari i Shkodrës, i ka thirrë t’parët e myslimanëve e u ka thanë: ‘Çka doni me ba se unë po dal e po e la’. Ata i kanë thënë qi ‘kur t’vinë koha me dalë, na dona me ju pshtetë Austrisë’. Valiu i paska sha tue ju thanë se, ‘si nuk ju vjen marre me thanë ashtu. Kështenimi i Shkodrës me rrethe thonë me kenë n’vedi e ju doni Austrinë’”.

Kjo konfirmon faktin se Hasan Riza Pasha kishte vendosur që të tërhiqej nga Shkodra bashkë me ushtrinë osmane dhe këtë ia kishte bërë të qartë parisë myslimane, e cila shpëtimin e shihte tek vazhdimi i qëndresës dhe mbështetja austro-hungareze.

Të njëjtën gjë mendonte edhe Esat Pashë Toptani dhe oficerët shqiptarë. Sipas tyre, tërheqja e forcave osmane nga Shkodra do të shoqërohej me masakrimin e popullsisë. Përpjekja për ta bindur Hasan Riza Pashën që të hiqte dorë nga ky plan absurd rezultoi e kotë.

Kjo bëri që të mos i mbetej asnjë alternativë veçse ta vrisnin dhe të vazhdonin qëndresën derisa Fuqitë e Mëdha të vendosin përfundimisht për fatin e Shkodrës.

Në këtë ditarë ngjarja e mësipërme përshkruhet me këto fjalë: “Sonde në nji e gjysë sahatin natë, Hasan Rizaja, komandari i Shkodrës, tue dalë prej Esat Pashë Tiranës bashkë me javerin e vet, kje gjue pushkë e vra. Nuk dihet se kush e ka vra, sado qi rrugët u mbyllën me të shpejt. Do thonë se qenë katër asqerë shqyptarë, do tjerë thonë ndonji mysliman shkodran e do tjerë thonë qi ka ardhë ndonji prej anmikut, ka hi n’sheher dhe e ka vra” (30 janar 1913).

Karikaturë që shpreh luftën shqiptare për mbrojtje nga fqinjët (Mali i Zi i shfaqet si majmun, Greqia si leopard dhe Serbia si gjarpër)

Qëndresa për të mbrojtur qytetin pas vrasjes së Hasan Riza Pashës vazhdoi më me intensitet. Ajo tashmë do të drejtohet nga Esat Pashë Toptani.

Autori përshkruan ardhjen e negociatorëve malazezë për ta bindur Esat Pashën që ta dorëzonte qytetin, por ai do të refuzojë. “Thonë qi ata kanë bisedue me Esat Pashën për me e lëshue Shkodrën, por Esat Pasha nuk i ka ndigjue” (3 shkurt 1913).

Në fakt betejat më të ashpra për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez do të zhvillohen në periudhën kur komandonte Esat Pasha. Kjo konfirmohet nga dokumentacioni dhe dëshmitarët okularë.

Një fakt i tillë pranohet në librin e dy oficerëve turq të botuar për herë të parë në vitin 1933 dhe ribotuar në 2007, gjeneral lejtënant Abdurrahman Nafiz dhe gjeneral brigade Kiramettin si bashkëpunëtorë të Hasan Riza Pashës e Esat Pashë Toptanit  dhe anëtarë të shtabit drejtues.

Prandaj akuzat për “shitje”, “dorëzim” etj. me qëllimin denigrimin e Esat Pashës a priori nuk kanë bazë faktike.

Kjo dëshmohet dhe nga shënimi i datës 8 shkurt 1913: “U fol qi Esat Pasha kishte shkue me ndej n’nji vend e kishte gjetë edhe nji prej korculladesh, qi e kishte pyetë se ‘çka ke n’mend me ba’. Esati i kishte thanë se, ‘deri kur t’mundem po e mbaj e kur ta shoh se s’mundem ma, po e çoj flamurin e Shqypnisë e t’vijnë e hinë mbasandej mbrendë’”.

https://youtube.com/watch?v=sLbRaiJ_fGE%3Ffeature%3Doembed

Sipas ditarit, perceptimi i përgjithshëm i mbrojtësve të Shkodrës ishte se, një nga shkaqet e epërsisë së forcave malazeze ishte ndihma ushtarake që ato merrnin nga Serbia. E, plot keqardhje, edhe ajo e malësorëve shqiptarë. “Po thonë qi serbi i ka çue nja 20 mijë vetë asqerë Malit t’Zi për ndihmë. Asqerët qi kanë ik thoshin se ‘na batisi malcija qi vjen e na këcen ndër istikame, se për malazezët nuk kena zor’”.

Pavarësisht rrethanave ekstreme dhe kequshqyerjes, në radhët e mbrojtësve nuk mungonte humanizmi. “Kur i kanë çue me hangër nishanxhi-taborit, ata nuk e kishin mbajtë bukën tue i thanë: ‘Danje nëpër fukara se nuk asht koha me hangër bukë’” (9 shkurt 1913). Kjo deklaratë rrëqethëse vinte kur armiku kishte 72 orë që bombardonte qytetin dhe popullsinë pa pushim.

Lufta po kalonte limitet e mbijetesës njerëzore nga dita në ditë. Megjithëse Perandoria Osmane kishte nënshkruar paqe me aleancën ballkanike, drejtuesit e mbrojtjes dhe paria ishte e vendosur për të rezistuar në maksimum.

Në shënimin e datës 10 shkurt 1913 autori shkruan: “Sot nade duel tellalli e tha: ‘Emni i hyqymetit, për hatër të Pejgamberit, t’Zotit e t’Vatikanit, kush t’jetë mysliman qi asht i zoti për pushkë, t’vinë n’Fushëqelë e t’marrin pushkën’. Thonë qi dje i ka mbledhë (Esati-H.B.) t’parët e myslimanëve e i ka thanë: ‘Çka doni me ba se Stambolli na ka lëshue?’ Por këta i kanë thanë se ‘deri ku t’mundena duem me e mbajtë’”.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se vendimet e mara nga shtabi i mbrojtjes që drejtohej nga Esat Pasha konsultoheshin me parinë e qytetit. Kjo hedh poshtë akuzat për tradhti. Kështu, në shënimin e datës 13 shkurt 1913, shkruhet: “Kësaj jave janë mbledhë asqeria e myslimanët e i paska thanë Esat Pashë Tirana ‘çka doni me ba?’ Thanë qi tri hise janë ba razi me ja lëshue e nji hise ka thanë jo. Do tjerë thonë qi të tanë janë ba razi salldé. Tepia (lagje – H.B.) nuk ndigjon

Situata u rëndua me depërtimin e forcave serbe afër Beltojës dhe Bërdicës. Në qytet nuk gjendeshin më as dru, as lakër, as purri, as mish, as bukë, as bereqet e shumë sende të tjera. Ndërsa çmimet shkuan në stratosferë dhe monedhat nuk hynin më në punë, aq sa lypëraët thonin: “Nuk due pare, por due bukë se u fika unit”. Kjo gjendje po e çonte qëndresën drejt fundit.

“Edhe Esat Pasha paska mbledh t’parët e t’kshtenëve e t’myslimanëve e i paska thanë: ‘A mundeni me qindrue edhe 15 ditë?’ Myslimanët i paskan thanë se, ‘edhe 15 ditë mundena me qindrue, por ma tepër jo’. E t’kshtenët i kanë thanë se, ‘edhe katër ditë s’dijmë a mundena me qindrue’. Po thonë qi nja 50 kuaj i paskan vra se kashta e elbi asht marue e s’kanë me çka me i mbajtë” (2 mars 1913).

Në formë presioni nuk u kursyen me bombardime as lagjet e banesat e katolikëve. Vetëm më 4 mars, në qytet u hodhën 200 gjyle të mbushura me dinamit, të cilat i shkulnin shtëpitë me themel. Njëra prej tyre ra mbi Kishën e Madhe dhe, një tjetër një shtëpi pas asaj të ipeshkvit.

Krahas kësaj, ushtria malazeze vazhdoi negociatat për të bindur Esat Pashën që ta dorëzonte qytetin. “Duket se kanë ardhë me i thanë ‘çka po ban, a po don me na lshue, apo ta baj ma zi”’ Por Esat Pasha – çka duket terezia – i ka thanë ‘ban çka të duesh se unë s’ta l’shoj’. Po thonë qi edhe nji herë tjetër kur paskan ardhë, i ka thanë  kumandari i Taraboshit qi ‘si s’keni marre me ardhë, edhe s’keni pse vini me na lutë për kët punë, se pa gjak s’e l’shojmë’” (14 mars 1913).

Për shkak të mungesës së bukës, ushtria dhe popullsia filloi të ushqehej me mullaga, hithra, farë lini, lëkura pemësh, breshka, bretkosa, kaçamill, kafshë të ngordhura etj, etj, duke shkaktuar çdo ditë shumë të vdekur për shkak të helmimit. Në radhët e disa mbrojtësve pakënaqësia shpërtheu hapur. Esat Pasha u përpoq tu jepte zemër.

“Sot, tue bisedue me nji asqer shqyptar prej Elbasanit, tha: ‘Qi sot presin se kto punë marojn, edhe flamurin e Shqypnisë kena ba gadi e asht sa kiameti’. Dje janë mbledhë muhaxhirët e Postribës, t’Krajës e anëve tjera e kan shkue me kja hall te Esat Pasha, tue thanë qi ‘ne ma nuk mundena me qindrue’. Por, Esat Pasha i ka thanë: ‘Duroni deri t’dielë’. E muhaxhirët i kanë thanë: ‘Jo, na po t’presim deri t’hanën. T’hanën s’na banë derman, ne t’lamë pushkën’. Dje e pardje kanë ik nja 50 vetë shqyptarë e kanë dalë n’hudude t’serbit e po thonë qi po s’u krye më shpejt, kanë me ik e me i ra anmikut n’dorë” (21 mars 1913).

Më 23 prill 1913, afërsisht tre javë pasi Konferenca e Ambasadorëve në Londër kishte vendosur që Shkodra t`i mbeste shtetit shqiptar, Esat Pashë Toptani, ushtria dhe popullsia shkodrane vendosi të nënshkruante marrëveshjen e armëpushimit dhe të dorëzimit të qytetit tek malazezët. Misioni ishte realizuar. Austro-Hungarisë dhe Italisë iu dha preteksti të luftonin në favor të çështjes shqiptare. Ndërsa, aspektin diplomatik, hyrja e ushtrisë malazeze, ishte vetëm një skenar i përkohshëm.

Në historinë e artit ushtarak marrëveshja për dorëzimin të Shkodrës është nga më të rrallat dhe më dinjitozet. Për dorëzimin e kalasë, sipas dy oficerëve turq të shtabit drejtues, u ndoqën të gjitha protokollet e luftës.

Hyrja e forcave malazeze nuk u prit njësoj nga të gjithë banorët. Sipas shënimit të datës 24 prill 1913: “T’parët e koçobashi i t’kshtenve deri n’pazar edhe fmija, djelm e vajza t’shkollës s’shkjeve e nji shkja Shkodre i kishte pri me bajrak t’Malit t’Zi edhe dy bajrakë tjerë fejet mbrapa. E shkojshin tue këndue e tue bërtitë: ‘Zhivio krajl Nikolla’ (‘Rroftë mbreti Nikolla’ – H.B.), por kërkush nuk i ndihmonte e u dukshin keq”. Fatkeqësisht, disa krerë të malësorëve katolikë që kishin mbështetur agresionin serbo-malazez filluan të lëviznin lirshëm bashkë me “çlirimtarët”. “Sonde kan ardhë kah Shtoji krenët e Grudës e thanë qi t’shtunën vjen edhe Dedë Gjo (Luli) me t’parët e Malcis”; “{…} mramë kanë ardhë Sokol Beg Baci, Mehmet Shpeni, Mirash Luca, t’birt krent e Grudës” (25 prill 1913).

Me 26 prill, komandanti i ushtrisë malazeze në të katër anët e qytetit vendosi një shpallje ku, pasi lavdëronte veten, deklaronte se “’po gzohem qi m’keni pritë mirë edhe mos kujtoni se kam me ju kqyrë me sy t’mirë e kam me ju shikjue të tanve njisoj, e un kam ardhë për t’mirën tuej, me ju skapullue prej osmanllisë, prej t’cilit t’parët tuej kan hjekë keq e u mushnë n’kët muaj 435 vjet qi osmanllija ka hi n’kto vende e shum të tjera fjalë t’mira flitte për ne’. Thotë qi thoni t’gjith me një gojë me ushtrinë teme, tri herë: ‘Zhivio, zhivio zhivio krajl Nikolla’” (“Rroftë, rroftë, rroftë mbreti Nikolla” – H.B.). Kjo letër ishte e shkrueme nashke (në gjuhën malazeze – H.B.) e shqyp”.