Nëpërmjet një konference për shtyp, Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët tha se “si duket as koha e pandemisë botërore nuk i mjaftoi Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për të hequr dorë nga vese të vjetra e të reja mbi diskriminimin rajonal apo të qyteteve të banuara kryesisht me shqiptar”.

Sipas saj, nuk mjafton të jesh qytet i bukur sa të tjerët apo të jesh i goditur nga kriza po ashtu sa të tjerët për t’u trajtuar njëjtë nga kompetentët dhe se objekt i diskrepancës, sipas Ilire Dautit, kësaj radhe, si jo rrallë herë ishte qyteti i Strugës, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Në këtë drejtim nga masat Covid1 dhe Covid2 me të cilat ishte paraparë që 13,7 milion euro nëpërmjet Bankës për Zhvillim, t’ju jepen pa normë interesi ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, që janë të goditura nga kriza shëndetësore –ekonomike e shkaktuar nga Covid19, në të dhënat e para të publikuara nga Banka për Zhvillim e RMV-së për Covid1 me çrast janë shpërndarë 4 milion eurot e para, vërehet diskrepancë e madhe ndërmjet qyteteve të ndryshme madje edhe në mes Strugës dhe Ohrit edhe pse të dy janë qytete turistike dhe kriza i ka dëmtuar njëjtë”, deklaroi kryetarja e Departamentit Ekonomik pranë ASH-së.

Ajo shtoi se ndërmarrjet më të goditur nga kriza nga qyteti i Strugës janë paguar mjete në vlerë prej 24.878 euro ndërsa për ata të Ohrit 298.212 euro, që është 12 herë më shumë se shuma e mjeteve financiare të paguara për ndërmarrjet e qytetit të Strugës.

“Prandaj Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje qeverisë e në veçanti ministrit të ekonomisë nga radhët e BDI-së, që në vend se të shfrytëzoj Strugën për ta propaganduar vetveten, le ta bëj të kundërtën. Pra le të shfrytëzoj vetveten si ministër i qeverisë e lë të kujdeset që Struga të merr hisen që i takon nga shpërndarja e mjeteve financiare në mënyrë të barabartë me qytetet e tjera e në këtë rast me qytetin e Ohrit”, deklaroi Dauti.

By I ZH