Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, akuzat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për hyrje në dhomën e përgjimeve së bashku me zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla i ka quajtur gënjeshtra dhe shpifje.

Ai këto komente i bëri pas takimit me kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti me të cilën diskutuan për menaxhimin e pandemisë Covid-19, dhe me masat lehtësuese në vazhdim.

“Ato janë gënjeshtra dhe shpifje. Problemi me gënjeshtarët është se nuk mund të gënjejnë njëherë. Të gjitha ato shpije nuk duhet të jenë vetëm pyetje për mua, por edhe për prokurorin e shtetit dhe presidentin. Ata po i shkruajnë dëshirat e tyre si fakte, pasi kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e përgjimeve dhe të uzurpojnë karrigen e kryeministrit”, tha Kurti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë në paraqitjen e tij në një televizion kosovar akuzoi Albin Kurtin, Haki Abazin e Xhelal Sveçlën se janë futur në dhomën e përgjimeve në PTK, me çka kanë kryer vepër penale.

Ndërkaq, lidhur me vendimin e inspektoratit të punës për të kthyer në detyrë kryeshefin e Telekomit, Bedri Istrefi, atë të KEK-ut, Njazi Thaçi, kryeministri Kurti tha se me këtë merren bordet, por nuk beson se ata do të kthehen.

Lidhur me protestën e sotme testuese të LVV-së, Kurti tha se atë e kanë organizuar aktivistët e lëvizjes dhe se ai nuk ka kohë të merret me përgatitje të tilla pasi si kryeministër po merret me menaxhimin e pandemisë.

By I ZH