Kërcënimi i coronavirusit mund të shtrembërojë përgjigjet psikologjike ndaj ndërveprimeve të zakonshme, duke shkaktuar sjellje të pazakonta dhe të papritura

Ndodh rrallë që një sëmundje të jetë në qendër të procesit të të menduarit për kaq gjatë. Për javë të tëra, pothuajse çdo media ka trajtuar historinë e coronavirusit dhe sëmundjes Covid-19.

Në varësi të platformave ku përditësoheni me zhvillimet e fundit, me gjasë jeni ndeshur me një mori informacionesh, këshillash praktike e humor në disa raste etj.

Thënë e gjitha kjo për të theksuar që coronavirusi është bërë aq i pranishëm në përditshmërinë e gjithsecilit, sa ka forcë të konsiderueshme për të ndryshuar mënyrën si njerëzit shohin botën dhe individët që i rrethojnë, në këtë rast të huajt.

Raportimet e fundit nga BBC thonë se në Amerikë ka një rritje të racizmit të ushtruar ndaj personave me prejardhje aziatike. Më herët, në kohën kur Italia po përballej për herë të parë me gjendjen kaotike të shkaktuar nga Covid-19, qarkulluan nëpër internet video ku italianët shfaqeshin duke fyer dhe dhunuar persona të rastësishëm me prejardhje aziatike.

Është e mundur që kërcënimi i Covid-19 t’i bëjë njerëzit paragjykues ndaj të huajve. Mosbesimi dhe dyshimi, që shkaktohen nga frika, mund të ndryshojnë sjelljen ndaj njerëzve me prejardhje të ndryshme kulturore.

Sipas ekspertëve të psikologjisë, veprime të tillë mund të rezultojnë në ksenofobi (mospëlqimi dhe paragjykimi ndaj dikujt bazuar në prejardhjen kulturore).

Megjithatë vlen të thuhet se pavarësisht arsyeve pse lindin të tilla paragjykime, kemi të bëjmë me keqinterpretim dhe sjellje të panevojshme dhe të pajustifikueshme. Viruset nuk janë njerëz. \ Telegrafi

By B I

Leave a Reply