Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero, ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, ku ka folur mbi situatën e koronavirusit në vend. Pipero ka thënë se nëse do të dilte vaksina kundër koronavirusit, do ishte ndër të parët që do e bënte.

“Bota e harroi mjekësinë ndaj dhe ky virus na gjunjëzoi. Por s’duhet të bëhemi fatalist, në rast se ne i përgjigjemi me masa adekuate, kemi mundësitë për të minimizuar dëmin… Ndoshta kam qenë i pari që kam bërë vaksinën e AH1N1, do e bëj ndër të parët vaksinën e koronavirusit, padiskutim do ta bëj.

Në rast se jemi para një virusi që është ky për të cilin nuk kemi ende medikament, jam për një vaksinë të këshilluar, jo të detyruar. Do ta bëja të detyruar për një grup të caktuar, mjekët, për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, midis tyre bën gjëmën virusi, për të tjerët do ta këshilloja”, ka thënë Pipero.

Kujtojmë se në të gjithë botën ka nisur një debat nëse duhet të bëhet apo jo vaksina kundër Covid. Ka disa nisma që janë shprehur kategorikisht kundër saj, pasi sipas disa teorive ka gjasa që ajo të përdoret për të kontrolluar qeniet njerëzore, përmes mikroçipave, por që të tjerë ekspertë shprehen se këto mbeten vetëm teori konspirative.

By B I