Që nga viti 1999-të e deri më tani në Kosovë janë pastruar mbi 52 milionë metra katrorë fusha të minuara dhe janë hequr mbi 92 mijë mjete shpërthyese.

Kështu kanë bërë të ditur kompania e Deminimit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për 22 vjet janë hequr edhe 23 mijë e 700 mina anti-personale, 6 mijë e 120 mina antitank dhe 22 mijë e 500 bomba kasetore, etj.

Këto të dhëna u publikuan në Ditën Ndërkombëtare për vetëdijesimin ndaj rrezikut nga minat, raporton KP.

“Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës të gjithë kolegëve deminerë, organizatave civile të deminimit në Kosovë: HALO Trust, NPA , po ashtu ekipeve të EOD-së të KFOR-it, i falënderon për punën dhe bashkëpunimin e ndërsjellë… Falënderim i veçantë çdokujt që ka ndihmuar Kosovën në këtë rrugëtim, me punën e secilit që nga viti 1999 e deri më sot 04 prill 2021 në Kosovë janë pastruar: Mbi 52 milionë metra katrorë fusha të minuara, janë hequr mbi 92 mijë mjete shpërthyese, 23,700 mina anti-personale, 6,120 mina antitank, 22,500 bomba kasetore, 40,000 mjete tjera konvencionale dhe të gjitha këto pa asnjë aksident, falë punës disiplinës dhe profesionalizimit të secilit deminer”, tregojnë të dhënat e publikuara nga Kompania e Deminimit të Gardës Kombëtare të FSK-së.